Rrëzimi i rezolutës për masakrën e Srebrenicës, Berisha: Shumë e rëndë!

Shqipëria

Rrëzimi i rezolutës për masakrën e Srebrenicës, Berisha: Shumë e rëndë!

Më: 13 maj 2022 Në ora: 18:04
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha nisi këtë të premte nga Elbasani fushatën elektorale për zgjedhjet që pritet të mbahen më 22 maj për kreun e Partisë Demokratike.

Në fjalën e mbajtur përballë simpatizantëve demokratë, Berisha tha se rrëzimi në parlament i rezoltuës për dënimin e masakrës së Srebrenicë, ishte një ngjarje shumë e rëndë që tregon se maxhoranca nuk ka ndjeshmëri ndaj një kombi që ka varrosur 8 mijë persona.

“Edi Rama është antishqiptar, s’kishte gjë më të rëndë se ajo e djeshmja, si mundet ne mos të kemi ndjeshmëri ndaj një kombi që në një varr ka varrosur 8 mijë veta. Del e thotë që fajin e ka ky për rezolutën. Këta u bënë së bashku dhe më dezinjuan non-grata. Ky ishte një motiv i pakufijshëm për të qëndruar kundër.

Nuk mundet që unë t’i lija kombit një turp të tillë, nuk mundet unë t’i lija familjes time një turp të tillë, nuk mundet unë t’i lija vetes time një turp të tillë.

Më motivonte interesi kombëtar, më motivonte krenaria e të qenit shqiptar, në situatën më të rëndë që kisha ndeshur në jetën time”, tha Berisha.

Gjithashtu gjatë fjalës së tij ish-kryeministri ftoi qytetarët shqiptarë që të mos e shesin votën, por të vendosin në plan të parë interesin kombëtar dhe interesin shoqëror.

“Nuk ka faktor më të fuqishëm, nuk ka interes më suprem se interesi kombëtar për njeriun. Kur ne u krijuam kishte një propagandë të fuqishme komuniste e cila bazohej në nacional-komunizmin, që ishte një doktrinë antishqiptare, megjithatë kryefjala e mitingut kur ne krijuam PD-në, ishte një “interesi kombëtar ylli ynë polar”. Në këtë kontekst ai yll polar na ndriçoi rrugën për të transformuar vendin. Por në këtë udhëtim drita e tij ka patur zbehje të mëdha. Ne jemi një komb pa kushëri, i tillë është kumbi ynë, nuk jemi sllavë. Ne dhe çdo komb ka kundërshtarët e vet të cilët duan ta shohin kombin poshtë e më poshtë.

Problemi është se mirë të themi anti-shqiptarët, që unë i kam quajtur albanofob, ata ekzistojnë për çdo komb. Por ne shqiptarët kemi një fatkeqësi, kemi një bashkërendim dhe një sintonizim me akte dhe veprimet e tyre. Nëse Chubrillovic thoshte për të patur ne hapësirë duhet të ngushtojmë ata, nëse duhet të shtohemi ne duhet të zvogëlohen ata.

Për herë të parë në histori ne kemi 2000 vdekje më shumë se lindje. Pse? Sepse ne kemi një qeveri që mban fjalime çdo ditë. Rri në parlament dhe dëgjoj ata deputetët. Ata flasin vetëm për veten e tyre dhe jo për qytetarët.

Nuk ka vend të pasur si Shqipëria, por cili është raporti i pushtetarëve me qytetarët dhe me interesin kombëtar. Mëkatarët janë ata politikanë që për interesa meskine kryejnë veprime kundër interesit kombëtar dhe interesit tuaj. Këtu ekziston dhe një problem me përgjegjësinë qytetare dhe ne do luftojmë në këtë drejtim.

Unë si qytetar a duhet të shesë votën apo jo? Se jemi në një rrokullisje të vërtetë. Nëse ne vendosim interesim kombëtar, nëse ne vendosim interesin shoqëror ne kurrë nuk duhet ta bëjmë ata. Sepse ndryshe nuk e ndalojmë këtë rrokullisje.

Shqiptarët e kanë faktuar që kur ka ardhur fjala për këtë interes kanë sakrifikuar dhe jetën. Është koha që të bëjmë diçka për dashurinë për vendin dhe për dashurinë për kombin”, tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat