​Shqipëria dënoi gjenocidin e Srebrenicës në Këshillin e Sigurimit, Rama: Lojë e ulët thyerësi i embargos ndaj Millosheviçit

Shqipëria

​Shqipëria dënoi gjenocidin e Srebrenicës në Këshillin e Sigurimit, Rama: Lojë e ulët thyerësi i embargos ndaj Millosheviçit

Më: 13 maj 2022 Në ora: 20:30
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi sot videon e fjalës së ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha më 11 maj 2022 për Srebrenicën, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Kjo video është për ata që akoma budallallepsen nga shejtanbudallallëqet e një të damkosuri botërisht si Katrani me Bojë i Shqipërisë. Ja si ka folur Shqipëria më 11 maj 2022 për Srebrenicën, mu në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh kryeministri Rama.

Kryeministri Rama, ndërkaq, duke iu drejtuar publikut që nuk e ka ndjekur debatin e një dite më parë tha se “ata që u hodhën përpjetë, më së shumti në Bosnjë e në Kosovë, për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot, pse, me ç’rast? Sepse Srebrenica e ka datën e saj të përkujtimit, 11 korrikun, dje ishte vetëm 12 maj!”.

“Pastaj duhet të informoheshin mbi tekstin në fjalë, se nuk mjafton të thuash hajde bëjmë një rezolutë për diçka të drejtë, që teksti i saj të jetë i denjë për t’u miratuar. Ashtu do të mësonin se parlamenti shqiptar dje, në fakt nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në kalendarin trejavor të punimeve, një propozim të ardhur nga një deputet i shpallur nongrata prej Shteteve të Bashkuara, si “thellësisht i korruptuar dhe minues i demokracisë”. I cili për më tepër, njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe sot është një i vdekur politikisht e moralisht, që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të Kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik!”, theksoi Rama.

“I thashë këto dje dhe shpreha keqardhjen për ata që ranë pre e lojës së ulët të radhës, të një të damkosuri ndërkombëtarisht si katran me bojë, duke e bërë të qartë se Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e Katranit të Shqipërisë!”, u shpreh Rama.

“Ashtu sikundër bëra përsëri të qartë dhe po e përsëris edhe sot: Çdo gjë që do të vijë drejt nesh me atë bojë, do të refuzohet pa asnjë ngurrim dhe në asnjë rast e për asnjë arsye, parlamenti nuk do të angazhohet nga ne, në asnjë lloj veprimi ku Katrani do të jetë i përfshirë. Kaq”, përfundoi Rama.

Në fjalën e tij më 11 maj 2022 ambasadori Hoxha është shprehur se, “ne jemi veçanërisht të shqetësuar nga vazhdimi i retorikës politike të mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, glorifikimi i kirminelëve të luftës dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes me sharje etnike.

Nxitja e dasive midis grupeve etnike në Bosnje, për lojëra politike mban firmën e Dodik dhe mohimi i përsëritur publik i gjenocidit nga ana e tij është thelbësor në përpjekjet e tij.

Ti referohesh gjenocidit si një “mit i sajuar”, apo si “mashtrimi më i madh i shekullit të 20-të”, në një mohim deluziv, është fyerje ndaj më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Srebrenicë.

Nënshtrimi ndaj nacionalizmit dhe lavdërimi i kriminelëve të dënuar të luftës, nuk është thjesht dhe vetëm një provokim.

Çdo hap i gabuar në Bosnjë-Hercegovinë rrezikon të prekë rajonin e gjerë. Prandaj, nuk është për t’u habitur që një sjellje e tillë e papranueshme u sanksionua me të drejtë dhe ne mirëpresim veprimet e ndërmarra”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat