Olsian Çela kërkon ngritjen e një strukture për lojërat e fatit: Prokurorët nuk duhet të kenë frikë nga asgjë!

Shqipëria

Olsian Çela kërkon ngritjen e një strukture për lojërat e fatit: Prokurorët nuk duhet të kenë frikë nga asgjë!

Më: 17 maj 2022 Në ora: 14:31
Olsian Çela

Kryeprokurori Olsian Çela nënvizoi gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve nevojën e krijimit të një strukture për të hetuar lojërat e fatit. Çela deklaroi se vitin e kaluar kjo detyrë i është ngarkuar prokurorisë por shtoi se kjo nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin e policisë.

“Lojërat e fatit, dua të citoj që të jem korrekt me raportin. I kemi kërkuar ministrisë së Drejtësisë për të marrë masat në lidhje me të dhënat statistikore. Përgjegjësia është e ministrit të Drejtësisë. Na është ngarkuar vitin e kaluar nga parlamenti kjo detyrë. Kjo detyrë nuk mund të realizohet vetëm nga prokurori. Ne kemi tentuar edhe në takim me drejtues të policisë së shtetit që të merren masa për ngritjen e kësaj strukture. Mbyllja e lojërave të fatit ka një rritje eksponenciale. Kjo është shqetësuese. Rritja është shqetësuese. Nuk kemi një analizë të faktorëve që kanë çuar në rritje”, deklaroi ai.

Çela theksoi se ka një ulje të trafikut të narkotikëve ndërsa ngriti hipotezën se kjo mund të sjellë rritje të konsumit të brendshëm.

“Ka një rritje të numrit total të çështjeve për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve. Pozitiv është se ka rënie të ndjeshme të trafikut të narkotikëve. Kemi statistikën e juridiksionit të prokurorisë së përgjithshme. Ne sot prodhojmë dy dokumente. Mendoj se duhet të kishte një dokument në tërësi. Duke para si element pozitiv them se ndoshta ka rritje të konsumit të brendshëm. Duhen parë elementët e trafikut dhe krimit të organizuar”, u shpreh Çela.

Kryeprokurori gjithashtu u shpreh se është nevoja e krijimit të regjistrit elektronik për të dënuarit jashtë vendit duke theksuar se në rastet kur kërkojnë informacion nga jashtë vendit, informacioni nuk vjen, vjen me vonesë ose në shumë raste është i paplotë.

“Mendoj se cilësisht ende lëmë për të dëshiruar. Ne fillojmë pak hetime kryesisht. Këto janë elementë të rëndësishëm për performancën. Shqetësimi dhe problemet që ngrihen janë të përditshme. Shqetësimet në shifra mendoj se janë të pamjaftueshme. Po performojmë jo mirë në disa drejtime thelbësore. A mund të ndodhë përmirësimi? Kjo ngelet për t’u parë. Mundësitë janë. Vakancat përbëjnë një problem. Thelbësore është mënyra si prokurorët shikojnë veten. A e dinë pse janë aty. Nuk janë aty vetëm të marrin rrogën. Për sa kohë unë vlerësoj se prokurorët  nuk po bëjnë atë që duhet për disa vepra penale unë e vlerësoj se nuk po bëjnë detyrën. Mendoj se jemi ende në fillim të reformës në drejtësi.

 Trajtimi është i shkëlqyer për prokurorët. Duhet të ndryshojmë mentalitetin e njerëzve. Prokurorët nuk kanë asnjë arsye të kenë frikë nga asgjë. Për procesin e dekriminalizimit, ky është një proces që ndiqet nga Prokuroria e Përgjithshme. Për verifikimet brenda vendit i kemi dhënë përgjigjen e duhur institucioneve. Ato që ne po shikojmë janë kur verifikimet shkojnë jashtë vendit. Në shumë raste nuk ka përgjigje. Ose vijnë me vonesë. Kemi raste kur përgjigjet janë të paplota. Nuk mund të nxitojmë në raste të tilla. Problemi i dytë është regjistri elektronik i personave të dënuar jashtë vendit. Ka nevojë që ky të realizohet”, tha Çela.

Sa i takon hartës gjyqësore, ai tha se sot për sot ajo është domosdoshmëri pasi do i jepte frymëmarrje prokurorive veçanërisht atje ku ka vakanca për shkak të vettingut.

“Harta gjyqësore është një detyrim. Janë disa faktorë të tjerë që e bëjnë emergjente bërjen e hartës. Sot kemi prokurori që po bëhen jo funksionale. Harta gjyqësore do na japë frymëmarrje. Do tejkalojmë fazën e krizës. Do na mundësojë krijimin e seksioneve të specializuara. Nëse pastrimi i parave është problem shqetësues në të gjithë vendin, ne do krijojmë sektorë të specializuar. Sa më afër qytetarit edhe prokuroria do të ishte më efiçente”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat