​SHBA i jep Shqipërisë 17 milionë dollarë për rritur fuqinë mbrojtëse

Shqipëria

​SHBA i jep Shqipërisë 17 milionë dollarë për rritur fuqinë mbrojtëse

Më: 25 maj 2022 Në ora: 14:29
Bajram Begaj

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral Bajram Begaj deklaroi në një intervistë për Zërin e Amerikës se SHBA i ka akorduar një buxhet grant Shqipërisë, prej 17 milionë dollarësh për të rritur fuqinë mbrojtëse.

Pas një takimi në Pentagon me Shefin e Shefave të Shtabit të Bashkuar të Ushtrisë amerikane, Mark Milley, gjenerali Begaj tha se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim ushtarak dhe një zyrë për koordinimin e buxheteve.

“Shteti amerikan ka akorduar një buxhet grant prej 17 milionë dollarësh për të rritur fuqinë mbrojtëse të forcave të armatosura dhe për të rritur kapacitetet mbrojtëse. Ne nuk kemi asnjë synim për agresion apo për t’i shpallur luftë dikujt. Ne jemi thjesht në atë çfarë kërkonte NATO si aleancë, që të bëjmë mbrojtje dhe shkurajim për çdo armik apo për çdo kundërshtar”, tha ai.

Po ashtu Bega shprehet se me Milley, folëm për Stërvitja Defender-21.

“Stërvitja Defender-21 testoi të gjitha kapacitetet për transport të shpejtë të trupave dhe mjeteve të forcave aleate, duke përdorur portet, aeroportet dhe tokën në Shqipëri, për të kaluar sa më shpejt në pjesën e Detit të Zi dhe pjesën e Evropës Lindore. Situata tani në Ukrainë është e tillë që Ukraina ndodhet e sulmuar në mënyrë të pajustifikuar dhe të paprovokuar nga një shtet tjetër dhe diskutuam gjatë për bashkëpunimin se si do të kontribuonte Shqipëria më shumë në drejtim të mbështetjes së Ukrainës”, tha ai.

Gjerela Bega ka folur dhe për bazën në Shqipëri të Brigadë e Forcave të Sigurisë dhe Ndihmës të Komandës Amerikane në Evropë.

“Jo vetëm shtabi i përparuar i task-grupit ballkanik të forcave speciale ndodhet në Shqipëri, por gjithashtu edhe SFAB-I (Brigadë e Forcave të Sigurisë dhe Ndihmës të Komandës Amerikane në Evropë) i cili është një ekip këshillues. Të dyja së bashku do të ndihmojnë, do të këshillojnë ato njësi të forcave të armatosura shqiptare të cilat janë deklaruar në NATO si kapacitete kombëtare, për t’u përdorur në NATO ku të nevojitet. Natyrisht që për t’u përdorur në NATO, duhet që këto njësi, këto forca të arrijnë të certifikohen dhe të akreditohen. SFAB dhe Task Group Balkans i forcave speciale do të bëjnë të mundur që këto njësi ushtarake shqiptare të jenë në kapacitetet e duhura dhe nivelet e duhura që kërkohen për të marrë pjesë në mision”, ka thënë Bega./ATSH

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat