​Rama takon kandidatin për t'u votuar si Presidenti i ri i Shqipërisë

Shqipëria

​Rama takon kandidatin për t'u votuar si Presidenti i ri i Shqipërisë

Më: 3 qershor 2022 Në ora: 22:14
Foto nga takimi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi këtë mbrëmje një takim informues me kandidatin e sapopërzgjedhur nga shumica parlamentare për t'u votuar si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begajn, i cili aktualisht është shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Gjatë takimit të zhvilluar në zyrën e tij, kryeministri Rama i shprehu Begajt vlerësimin për kandidaturën e tij, e cila u dakordësua gjatë shqyrtimit, si kandidatura më e përshtatshme për t’u zgjedhur në këtë detyrë të rëndësishme për vendin. 

“Ky sistemi që kemi i tillë është. Është e pamundur që të ndërtohet një proces ku njerëzit mund të njihen përpara me mundësinë për t’u zgjedhur, kështu që sot kemi patur një diskutim në tërësi, shumë të gjatë, një nga diskutimet më të mira që mbaj mend unë për shumë kandidatura dhe në fund ramë dakord që ju jeni kandidatura më e mirë për ta normalizuar dhe për ta ricivilizuar zyrën në Institucionin e Presidentit të Republikës. Unë ju falënderoj që ju nuk shfaqët refuzim, por pranim dhe do të jetë nder për ne që t’u japim votën dhe ju të zgjidheni zyrtarisht Presidenti i Republikës”, tha kryeministri Rama.

Nga ana e tij, kandidati për President të Republikës së Shqipërisë Gjeneral Bajram Begaj shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe për kryerjen me nder të detyrës. 

“Faleminderit kryeministër! Është një vlerësim shumë i madh të jesh president i një vendi dhe natyrisht do të përpiqem që të jem gjithmonë ai personi i duhur për atë çka përfaqëson ky post. Kështu që do të jem në lartësinë e detyrës. Do të jem i përgjegjshëm për kryerjen e saj. Vij nga ushtria dhe nga mjeksia. Janë të dyja profesione shumë të përkushtuara. Kështu që besoj se edhe detyrën nëse nesër do të votohem në parlament, do të jem i lumtur ta kryej me nder”, u shpreh Begaj.

“Ne e kemi bindjen që ju do të jeni në lartësinë e asaj detyre sepse unë kam patur mundësinë ta çmoj punën që keni bërë dhe si Shef i Shtabit, nuk jemi njohur më parë, por me thënë të drejtën, të gjithë ata që morën fjalën, folën me respekt , folën me bindje që ju do të mund të bëni gjënë e duhur në atë detyrë. Kështu që unë dua t’ju uroj që të keni deri në fund atë besnikëri që ju karakterizon ndaj shtetit, të keni atë respekt që ju karakterizon për ligjin dhe atë forcë të madhe humanizmi që karakterzion të gjitha Forcat e Armatosura dhe patjetër ju si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura , cilësi këto që janë mëse të mjaftueshme për të besuar që ju do ta merrni shpejt përmasën e detyrës dhe do ta mishëroni atë simbolikë të unitetit kombëtar që është edhe vetë ADN-ja e Forcave të Armatosura.”, u shpreh ndër të tjera gjatë këtij takimi, kryeministri Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat