Aksidenti i pazakontë/ Makina përfundoi në lokal, mësuesja ja kishte marrë kolegut dhe…

Shqipëria

Aksidenti i pazakontë/ Makina përfundoi në lokal, mësuesja ja kishte marrë kolegut dhe…

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 09:36
Foto ilustrim

Të tjera detaje të reja janë zabrdhur nga aksidenti i ditës së djeshme ku një qytetar nga Lezha po konsumonte kafen e mëngjesit në një nga lokalet në zonë, pa i shkuar nëpër mend se mund të goditej nga një automjet.

Aksidenti i pazakontë u regjistrua rreth orës 9:00 të së enjtes në rrugën e vjetër nacionale Lezhë-Milot, pranë fshatit Tresh, kur një automjet doli jashtë rruge dhe përfundoi në ambientet e lokalit.

Automjeti “Volksvagen” që drejtohej nga një mësuese, humbi kontrollin dhe përfundoi në ambientet e një lokali në anë të rrugës.

Nga aksidenti mbeti i plagosur një person me iniciale N.N. 60 vjeç, i cili ishte klient në lokal dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, nga ku mësohet se pasi mori ndihmën e parë mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësuesja ja kishte marrë kolegut dhe…

Sipas burimeve, mësuesja, e cila sapo ishte pajisur me leje drejtimi, i kishte marrë automjetin një kolegut të saj dhe sapo ka dalë në rrugë, ka humbur kontrollin e makinës, në të cilën udhëtonin dhe persona të tjerë si pasagjerë. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti. Drejtuesja e automjetit u shoqërua në polici, ku dha sqarimet e saj rreth ngjarjes dhe më pas u la e lirë.

Ky është aksidenti i tretë që ndodh në harkun kohor të katër ditëve në rrugët e Qarkut të Lezhës me një bilanc me 7 persona të plagosur. Ndërsa dhe përgjatë muajit maj pati bilanc tragjik nga aksidentet, me 4 viktima dhe rreth 30 persona të plagosur, teksa shkaku kryesor i këtyre ngjarjeve rrugore mbetet shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve si dhe rrugët pa standarde në Qarkun e Lezhës, të cilat po marrin jetë njerëzish. Akset më problematike mbeten Lezhë-Shkodër, Lezhë-Mamurras, si dhe rruga e kombit segmenti Milot-Rrëshen i cili vitet e fundit është kthyer në një aks mjaft të rrezikshëm për sa i përket aksidenteve rrugore.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat