Çani bën deklaratën e papritur: Ja kush është politikani më i fuqishëm në vend pas kryeministrit

Shqipëria

Çani bën deklaratën e papritur: Ja kush është politikani më i fuqishëm në vend pas kryeministrit

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 06:24
Arian Çani

Gazetari Arjan Çani, komentoi zhvillimet e fundit në parlament, ku ministrja e Jashtme Olta Xhaçka mbrojti bashkëshortin e vetë Artan Gaçi për një investim me status investitor strategjik në bregdet.

Çani tha se çështja nuk duhet shtruar a duhet besuar apo jo, por a është trafik influence hoteli që Gaçi ka marrë në jug.

Duke folur për MCN TV, ai tha se SPAK gjithsesi nuk ka një hapësirë lirie kaq të madhe sa të vendosë vetë për fatin e një ministreje e një personazhi publik të një rëndësie të tillë.

“Loja është më e madhe të gjithë ata njerëz në pushtet me ose pa përgjegjësi janë në listën e Ramës për tu djegur, do digjen. Nuk e shoh Xhaçkën te lista e kuqe e Ramës, ka profil modest politik.

Nuk besoj se do e digjte kaq kollaj pas akuzave të politikës. Bashkëshorti i sotëm i Xhaçkës, Artan Gaçi, ka qenë biznesmen që në vitet ‘90-të, nuk hyn te ata personazhe që hapin një NIPT 3 muaj pak përpara.

Mendoj se duhet parë më me detaje nëse ka shkelje apo jo. Në vende me standarde demokratike ku standardi i demokracisë është shumë i lartë, në Gjermani apo Francë, do ishte një ngërç për çdo ministër, nëse do dilte një lajm i tillë.

Në vende si Shqipëria apo Italia e jugut, në vende të Europës ku ka shumë diell, këto gjëra nuk është se janë shumë tabu. Brenda kontekstit shqiptar, nuk është ndonjë skandal i madh”, tha Çani.

Lidhur me akuzat e deputetit demokrat Agron Shehaj i cili shprehet se këtë akt nuk e lejon Kushtetuta dhe se ministrja është në konflikt interesi, Çani deklaroi se këtu rrezikohet mandati i çdo ministri nëse Rama vendos ta djegë.

“Këtu ka vetëm një njeri të plotfuqishëm dhe pas tij vjen Veliaj, të cilët kontrollojnë drejtësinë. Është Rama dhe pastaj Veliaj.

Nëse Rama mendon se Xhaçka nuk i duhet më, e djeg, me apo pa përgjegjësi, jemi në këtë nivel.

Disa nga personazhet që sot janë ose në burg ose me procese të hapura, janë personazhe që Rama i ka lëshuar”, tha Çani.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat