Spaho: 7 Korriku test për shoqërinë shqiptare. Amnistia fiskale formë për të mbuluar pastrimin e parave

Shqipëria

Spaho: 7 Korriku test për shoqërinë shqiptare. Amnistia fiskale formë për të mbuluar pastrimin e parave

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 23:18
Edmond Spaho

Deputeti Edmond Spaho, ka dhënë detaje nga protesta e cila do të zhvillohet me 7 korrik të këtij viti.

Në një intervistë për Ora News, Spaho tha se kanë kërkuar që shoqëria civile, si dhe partitë opozitare t’i bashkohen protestës.

Edmond Spaho: Vendi është në një krizë të plotë të të gjitha fushave, dhe kjo duket  nga fakti që gjatë viteve të fundit 240 mijë veta janë larguar nga Shqipëria. Kemi kërkuar që shoqëria civile të jetë e kësaj proteste, kemi kërkuar që edhe elita ti bashkohet protestës si dhe ato parti opozitare që e shohin me shqetësim situatën në vendin tonë.

Ai tha se protestën e sheh si një test për shoqërinë shqiptare, ndërsa theksoi se synojnë të kenë një protestë larg nga ajo protesta e klisheve duke i referuar protestave që organizonte Lulzim Basha.

Edmond Spaho: Protestën nuk e shoh si test për PD por për shoqërinë shqiptare. Ne do u dalim qytetarëve për zot dhe do kryejmë detyrat tona si opozitë. Së pari ne do të përpiqemi që të ngacmojmë genin e reagimit të qytetarëve të Tiranës.

Ne synojmë që të kemi një protestë larg nga ajo e klisheve të cilat jemi mësuar të shikojmë. Ne asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga përpjekjet apo betejat në Parlament. Kjo formë e debatit në  parlament do vazhdojë dhe bashkëshoqërohet dhe me protesta.

Ai është ndalur dhe tek amnistia fiskale duke thënë se është një formë për të mbuluar pastrimin e patave.

Edmond Spaho: Kjo që po propozohet nuk është ajo që perceptohet në kuptimin e përgjithshëm si amnisti fiskale. Do I lejohet çdo emigrant që të deklarojë deri në 2 milionë euro të ardhura. Bëhet fjalë për paratë e krimit të organizuar, për paratë e trafiqeve, drogës. Vetëm njerëz të tillë kanë akumuluar pasuri, në këto dimensione, në këto përmasa. Të quajturit amnisti fiskale është një formë për të mbuluar pastrimin e parave që kjo qeveri e ka dashur dhe vazhdon të insistoj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat