Gjoba për qeset plastike/ Nisën më një korrik masat shtrënguese

Shqipëria

Gjoba për qeset plastike/ Nisën më një korrik masat shtrënguese

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 20:07
Foto ilustrim

Duke filluar nga 1 korriku ka hyrë në fuqi vendosja e gjobave ndaj subjekteve që përdorin qese plastike të ndaluara nga ligji. Në të gjithë vendin do të përdoren qeset e letrës dhe qeset plastike me trashësi mbi 70 mikronë.

Sipas ligjit personat që prodhojnë, importojnë apo hedhin në treg qese njëpërdorimshme, të ndaluara, dënohen më një gjobë prej 5 milionë lekë të vjetra. Në rast përsëritje dënohen me 15 milionë lekë, deri në heqje licence biznesit.

“Shumë mirë që është bërë kështu se na mbyti pisllëku, plehrat, qeset plastike, që na zunë frymën. Gjithë Shqipëria është mbushur me to, sidomos lumenjtë, i keni parë vetë ju. Unë në një ditë përdorja disa qese plastike. Të gjitha ato janë zëvendësuar me qeset e letrës tani. E vonuar është si masë, por më mirë vonë se kurrë”.

“Unë përdor trastën e rrobës gjithmonë. Nuk i dua qeset plastike.”

“Nuk kemi më nevojë për qese, janë më ekologjike këto të letrës. Na mbytëm plehrat plastike. Që nga 1 qershori kur nisën qeset e letrës, nuk kam parë ndonjë biznes deri tani që të m’i japë gjërat që blej me qeset e holla të dikurshme.”

“Ne kemi jetuar në Europë dhe atje përdoren vetëm qese të degradueshme. Ky ligj duhej të ishte marrë me kohë, që kur u hap tregu”, shprehen qytetarët.

“Që nga data 1 Qershor I kemi futur në qarkullim qeset e letrës dhe këto të trashat. Gjoba shkon në 5 milionë lekë siç kemi dëgjuar. Sigurisht që kemi frikë nga gjobat. Na kanë ardhur deri tani 2-3 herë kontrolle, por na kanë gjetur në rregull“, shprehet një shitëse.

Përpjekjet për nxjerrjen nga qarkullimi të qeseve plastike nisën në vitin 2019, por u finalizuan vetëm tani.

Qëllimi është mbrojtja e mjedisit sidomos lumenjve dhe deteve nga plastika e dëmshme. Mesatarisht në 1 vit në Shqipëri përdoren mbi 3 miliardë qese plastike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat