Heroinë në kuti shkrepësesh dhe 2.6 milionë lekë, arrestohen dy trafikantët në Fier

Shqipëria

Heroinë në kuti shkrepësesh dhe 2.6 milionë lekë, arrestohen dy trafikantët në Fier

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 11:19
Foto ilustrim

Policia e Fierit ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta, në doza ndërsa ka arrestuar dy trafikantët.

Gjatë aksionit të koduar “Corner”, policia ka sekuestruar heroinë të paketuar në kuti shkrepësesh, gati për shitje, dhe një shumë parash, me vlerë rreth 2.6 milionë lekë të rinj, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Në pranga kanë rënë shtetasit -A. M., 45 vjeç, banues në Celigradë, Fier dhe E. T., 32 vjeç, banues në Grecalli, Fier, të cilët ishin bashkëpunëtorë në veprimtarin kriminale të trafikut të heroinës.

Këta shtetas janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lagjen “15 Tetori”, Fier, duke i shitur lëndë të dyshuar narkotike heroinë, shtetasit A. H., 24 vjeç, banues në Fier, i cili u procedua penalisht në gjendje të lirë.

Gjatë kontrollit fizik të shtetasve A. M. dhe E. T., si dhe gjatë kontrollit në banesat e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, paketime (kuti shkrepsesh) që shërbenin për ndarjen në doza të lëndës narkotike, një shumë e konsiderueshme parash të valutave të ndryshme, me vlerë rreth 2.600.000 lekë të rinj, 10 aparate celulare dhe 2 peshore elektronike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat