Dy vatra aktive në vend, në Bërzanë dhe Shetaj, Hysenllari: Thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm

Shqipëria

Dy vatra aktive në vend, në Bërzanë dhe Shetaj, Hysenllari: Thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 11:07
Foto ilustrim

Dy vatra zjarri janë aktive aktualisht në vendin tonë, në Bërzanë të Lezhës dhe në fshatin Shetaj të Durrësit.

Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Robert Hysenllari në një deklaratë për mediat u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm, pas temperaturave të larta që parashikohen në fundjavë.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm përgjate fundjavës, ku sipas Institutit të Gjeoshkencës parashikohen ditë të nxehta në të gjithe vendin dhe rrisku nga zjarret është i lartë.
Mos hidhni në asnjë rast bishtat e cigareve në zona ku ka bar, pasi ekziston mundësia për nisjen e një zjarri! Mos ndizni zjarre në pyje! Nëse ndizni zjarr në kamping, mos u largoni pa u siguruar që është fikur tërësisht!

Pastrimi i kullotave me anë të zjarrit bëhet vetëm me autorizim të ndërmarrjes pyjore të rrethit ku ndodhet kullota. Ju lutemi qytetarëve raportoni menjëherë vatrat e zjarrit pranë shërbimeve zjarrfikëse, në mënyrë që ato të izolohen sa më parë, për të mos rrezikuar të çojnë në dëme të pallogaritshme. Ju rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit”, theksoi Hysenllari.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri.

Janë angazhuar 190 forca operacionale në terren me 28 mjete, ku përfshihen forcat zjarrfikëse, policisë së shtetit, forca vullnetare, trupa të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor si dhe punonjës të emergjencave civile vendore, të cilat bënë të mundur izolimin e plotë dhe shuarjen e vatrave:
-në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, në fshatin Burbullush në bashkinë Vau-Dejës, në fshatin Mashë, në Fshatin Radë dhe në mbikalimin e Fllakës, Durrës, në Tragjas të Vlorës, në Vergo të Delvinës, në fshatin Plashnik i Madh dhe Terpan të Poliçanit, Bogovë të Skraparit, Kodër Krastë të Elbasanit dhe fshatin Kukur të Gramshit

Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat