​1200 vrojtues të certifikuar sivjet në plazhet e Shqipërisë

Shqipëria

​1200 vrojtues të certifikuar sivjet në plazhet e Shqipërisë

Më: 25 korrik 2022 Në ora: 15:24
Foto ilustrim

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama falënderoi sot në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Mbytjeve 1200 vrojtuesit shqiptarë të certifikuar, që kryejnë detyrën e tyre në plazhet përgjatë vijës bregdetare.

Rama u shpreh se vrojtuesit kanë rol të pazëvendësueshëm në plazhe. “Në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Mbytjeve një falënderim për mbi 1200 vrojtuesit e certifikuar që zgjedhin këtë detyrë fisnike dhe për ndihmën e çmuar që japin çdo ditë në plazhet e gjithë vendit.

Vrojtuesit shpëtojnë jetë, shmangin fatkeqësitë dhe i bëjnë pushimet tona të sigurta. Prandaj kanë rol të pazëvendësueshëm në plazhe”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë theksoi se “bashkitë dhe bizneset turistike jo vetëm e kanë detyrim ligjor rekrutimin e vrojtuesve në plazhe, por ta konsiderojnë prioritet absolut së bashku me pushuesit që duhet të vlerësojnë punën dhe paralajmërimet e tyre”.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar në vitin 2019 gjithkush që merr në menaxhim një stacion plazhi ka detyrimin të sigurojë edhe vrojtuesin e plazhit po ashtu, së bashku me infrastrukturën përkatëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat