Kultivimi i grurit, prioritet/ 5 mld lekë për të mbështetur fermerët

Shqipëria

Kultivimi i grurit, prioritet/ 5 mld lekë për të mbështetur fermerët

Më: 8 gusht 2022 Në ora: 15:25
Foto ilustrim

Realiteti i ri ekonomik pas luftës Rusi-Ukrainë ka detyruar qeverinë që të kthejë në prioritet shtimin e sipërfaqeve të mbjella me grurë.

Për këtë qëllim, fermerët do të përfitojnë 5 mld lekë deri në 31 dhjetor, me kushtin që të rrisin të mbjellat.

Kriteri kryesor është që të kenë 1 ha tokë. Numri dy i ministrisë Dhimitër Kote në një intervistë për Vizion Plus sqaron detajet e skemës.

“Deri dje kemi patur prioritet kultura të tjera, tashmë kemi në fokus drithin. Sot jemi në një realitet të ri dhe drithi, misri elbi ka marrë një rëndësi tjetër. Me mbështetjen me naftë dhe skemën aktuale për grurin, kjo kulturë do të kthehet në prioritet. Ne prodhojmë 225 mijë ton grurë në vit ndërsa pjesën tjetër e importojmë. Me 5 mld lekë në total për të subvencionuar për çdo ha 30 mijë lekë, ndërsa nuk do të ketë tavan, pra ai mund të mbjellë 1 ha, 10 ha apo dhe 200 ha sipërfaqe.” – sqaron Kote.

Që skema të jetë e suksesshme dhe paratë të shkojnë tek fermeri, ministria thotë se do të verifikohet në terren çdo sipërfaqe që do të deklarohet në aplikim.

“Jam i bindur që ky buxhet do të përthithet I plotë janë rreth 17-20 mijë ha që do të përfitojnë fermerët. Mendojmë që kjo fashë do të ezaurohet e gjitha. Rëndësi ka që kjo skemë është e kontrolluar. Do ketë verifikime nga grupet e punës në 100 % të sipërfaqes. Dhe kjo skemë jam i bindur do jetë efekt dhënëse se do t’i motivojë njerëzit që të mbjellin sipërfaqe të mëdha.” – sqaroi më tej Kote.

Qëllimi i kësaj skeme është që të ndikojë sadopak në uljen e shpenzimeve të fermerëve, të cilët janë goditur nga rritje e ndjeshme e çmimeve. Por jo vetëm edhe në nxitjen e prodhimit të një prej produkteve bazë, siç është gruri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat