Rritja e çmimeve, qeveria fond 14.3 mln euro për të kompensuar ndërtuesit që kanë kontrata publike

Shqipëria

Rritja e çmimeve, qeveria fond 14.3 mln euro për të kompensuar ndërtuesit që kanë kontrata publike

Më: 10 gusht 2022 Në ora: 08:04
Foto ilustrim

Në aktin e dytë normativ për rishikimin e buxhetit të vitit 2022 janë përcaktuar nga qeveria 14.3 milionë euro për kompensimin e ndërtuesve që kanë një kontratë publike për çmimet e rritura gjatë këtij viti të materialeve të ndërtimit si hekur, çimento, bitum, tuba plastikë, alumin, bakër dhe zink.

Të gjitha kompanitë e ndërtimit që kanë një kontratë për investime publike kanë të drejtë të përfitojnë kompensim nga 5% deri në 30% të vlerës që zënë materialet e hekurit, bitumit, çimentos, tubave plastikë, aluminit, bakrit dhe zinkut për çmimet e rritura. Për të bërë kompensimin e ndërtuesve do të merren për bazë faturat e materialeve të ndërtimit të lartpërmendura dhe do të krahasohen me çmimet e përcaktuara në preventivin e kontratës dhe në bazë të kostos së shtuar do të bëhet edhe kompensimi i operatorëve.

“Me shpalljen e situatës së veçantë, sipas këtij akti normativ, operatorët ekonomikë, të angazhuar në kontrata publike për punë me fonde të buxhetit të shtetit, të njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, njësive zbatuese të caktuara në kuadër të procesit të rindërtimit ose të enteve të tjera publike apo të shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51%, i paraqesin autoritetit kontraktor kërkesën për kompensim, sipas aneksit nr. 1, vetëm për pjesën e kostos që lidhet me rritjen e çmimit të materialeve të ndërtimit, të përcaktuara në nenin 2, të këtij akti normativ”, thuhet në aktin normativ.

Nga ky vendim bëhet kompensimi i të gjitha kontratave publike të financuara me fonde të buxhetit të shtetit, të njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, njësive zbatuese të caktuara në kuadër të procesit të rindërtimit apo të enteve të tjera publike të cilat kanë një kontratë në proces zbatimi që nga data 1 janar 2020 dhe që preken nga rritja e çmimit të hekurit, çimentos, bitumit dhe tubave plastikë, për punë të kryera pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ.

Do të përfitojnë kompensim edhe kontratat publike për punë, të financuara me fonde të shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51% apo me financim të huaj, që përballohen nga fondet e shoqërive me kapital shtetëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat