Rritja e numrit të vetëvrasjeve, sociologia e njohur tregon shkaqet dhe ka një thirrje të rëndësishme

Shqipëria

Rritja e numrit të vetëvrasjeve, sociologia e njohur tregon shkaqet dhe ka një thirrje të rëndësishme

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 15:26
Entela Binjaku

Një grua i dha fund sot jetës në Përrenjas, duke u bërë viktima e 69-të e vetëvrasjes në 7 muajt e fundit. Për sociologen Entela Binjaku, shkaqet që çojnë drejt vetëvrasjes janë varfëria dhe çrregullimet mendore që gjenerohen me kohën.

“Përmasë serioze e dukurisë së vetëflijimit. Ka në sfond një histori varfërie ekstreme. Njerëz që nuk arrijnë ta çojnë më përpara jetën e tyre dhe ndërmarrin këtë akt. Arsyet janë të durimi për një kohë të gjatë dhe mosparja e një drite në fund të tunelit. Ka edhe çrregullime të shëndetit mendor”, u shpreh ajo.

Binjaku tha se numri më i madh i vetëvrasjeve është regjistruar te meshkujt, ndërsa femrat në masën më të madhe mbeten te tentativa.

“Mendoj që çdo jetë ka vlerë dhe si ai që tenton, edhe ai që e realizon janë qytetarët tanë, pjesëtarë të rretheve të ndryshme. Ka studime që thonë se dukuria e vetëflijimit nuk kursen askënd. Përmasat e kësaj dukurie janë të vërteta serioze. Ne jemi gjithmonë të papërgatitur. Shohim që në periudha të caktuara të vitit, disa individë ndihen të lodhur, të lënë mënjanë, të vetmuar dhe nuk shohin askënd me të cilin të ndajnë ndjesitë e tyre, shqetësimet e tyre. Statistikat tregojnë se meshkujt e realizojnë më shumë si akt. Ndërsa gratë tentojnë më shumë.”, tha sociologia.

Sipas Binjakut, është detyrë e familjes dhe shoqërisë që këta njerëz të mos lihen vetëm në momente të tilla të brishta. 

“Vetëvrasja nuk është një formë të sjelli. Është një çrregullim i momentit ose çrregullim i instaluar në kohë. Varfëria nuk është premisa e vetme për vetëvrasje. Këta janë njerëz që nuk kanë gjetur shpresë te perspektiva e së ardhmes. Këta njerëz nuk duhen lënë vetëm. Ata zakonisht nuk kërkojnë ndihmë. Por kjo është detyra e çdo shoqërie.”, u shpreh Binajku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat