Udhëzim i ri për emërimin e mësuesve, 3 muaj provë dhe vlerësim nga komisioni psiko-social

Shqipëria

Udhëzim i ri për emërimin e mësuesve, 3 muaj provë dhe vlerësim nga komisioni psiko-social

Më: 12 gusht 2022 Në ora: 19:37
Ilustrim

Një udhëzim i ri i Ministrisë së Arsimit, i datës 3 gusht, përcakton se ndonëse mësuesi fiton vendin e punës nga portali, për t’u emëruar, qoftë me kontratë provizore apo definitive, duhet të kalojë një periudhë prove 3-mujore dhe pas kësaj duhet të përballet edhe me komisionin psiko-social të ngritur në shkollë.

NDRYSHIMI

“Kandidati fitues punësohet nga drejtori i institucionit arsimor parauniversitar me kontratë pune individuale, me ose pa afat, sipas kërkesave të vendit të lirë të punës, pas kalimit me sukses të periudhës tremujore të provës dhe të vlerësimit pozitiv nga komisioni për vlerësimin psiko-social të punonjësve arsimorë dhe punonjësve të tjerë në institucionet arsimore parauniversitare”, citohet në pikën 8 të kreut 8 të udhëzimit nr.12, datë 10.06.2021, të ndryshuar. Udhëzimi i parë nuk fliste për periudhë prove.

Kandidati fitues punësohej nga drejtori i shkollës dhe lidh kontratën menjëherë pasi dorëzon dosjen personale, pa kurrfarë prove.

PROCEDURA E PUNËSIMIT

U bënë vite tashmë që asnjë mësues nuk punësohet më direkt nga drejtoritë arsimore, por nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Me krijimin e një vendi të lirë, lajmërohet i pari në listë (ai që ka grumbulluar më tepër pikë) përmes postës elektronike.

Ky i fundit ka të drejtën e zgjedhjes së vendit të lirë të punës dhe duhet të konfirmojë brenda 24 orësh përgjigjen. Në rast se nuk e bën, pozicioni i punës i ofrohet të dytit në listë e kështu me radhë.

Por nëse përgjigjja është pozitive, kandidati paraqitet në shkollë ku i dorëzon drejtorit dokumentin e printuar nga sistemi i aplikimit online të portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Përmes këtij mekanizimi bëhen punësimet në institucionet e arsimit parauniversitar që prej tetë vitesh, ndërsa portali është bërë pjesë e ligjit për arsimin e lartë vetëm tre vitet e fundit dhe ka pësuar ndryshime herë pas here.

Sistemi synon vënien e kandidatëve në kushte të barabartë përballë vendeve të punës që hapen gjatë vitit shkollor, por nuk garanton punësim. Qëllimi është që më të mirët të kenë mundësi zgjedhjeje dhe të rekrutohen të parët në sistem.

Aktualisht, mbi dhjetë mijë mësues janë futur dhe po zhvillojnë testimet, të cilat përfundojnë në fillim të muajit shtator. Fill pas tyre do të hartohet lista për çdo profil dhe zonë arsimore duke renditur kandidatët për punë nga ata që kanë grumbulluar më tepër pikë deri tek ai që ka më pak.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat