Ish-kryehetuesi i diktaturës: Dyshimet që Hazbiu mori pjesë vetë në vrasjen e Mehmet Shehut

Shqipëria

Ish-kryehetuesi i diktaturës: Dyshimet që Hazbiu mori pjesë vetë në vrasjen e Mehmet Shehut

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 08:16
Foto ilustrim

Enver Hoxha ka dalë nga vila e tij për të shkuar në mbledhjen e Byrosë Politike. Nuk ka ndaluar për të pyetur apo dhënë porosi për ngjarjen. Zëvendësministri Raqi Iftica ka dhënë porosi për mbledhje me ushtarët dhe oficerët e gardës për të komunikuar lajmin se Mehmet Shehu ka vrarë veten. Sipas komandantit të Gardës së Republikës, arma me të cilën u vetëvra Mehmeti ishte një “Makarov”, regjistruar si dhuratë për kryeministrin shqiptar nga mareshali Zhukov gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Në orën 09:30 Ramiz Alia e Kadri Hazbiu u nisën për në mbledhjen e Byrosë Politike, e cila kishte filluar që një ditë më parë dhe ishte lënë të vazhdonte edhe atë ditë.

Pritej reagimi i Enver Hoxhës dhe autokritika e thelluar e Mehmet Shehut. Gjithçka vërtitej rreth emrit të kryeministrit. Fejesa e djalit të tij Bashkimit me Silva Turdiun, volejbollisten e njohur të ‚Dinamos‘, vajzë nga një familje me probleme në biografi, do të ishte dhe sebepi që do të kryqëzonte kryeministrin e ashpër.

“Para ikjes, Kadriu na tha që të forconim shërbimet e të vazhdonte ekspertiza mjekësore-ligjore. Ai sakaq ishte shumë i tronditur. Në ato çaste ne pamë Enver Hoxhën që doli nga vila e tij dhe po shkonte për në mbledhjen e Byrosë Politike. Brenda në vilë, ku ishte kryeministri i vdekur, u futën Llambi Ziçishti me njerëzit e tij. Kur dolën prej andej, ata na thanë se vetëvrasja kishte ndodhur rreth orës 3:00 të natës. Më pas erdhi dhe një tjetër, zëvendësministri i Brendshëm Raqi Iftica dhe me porosi të ministrit të Brendshëm më tha që të mblidhja oficerët dhe ushtarët e Gardës dhe t’u komunikoja lajmin se Mehmet Shehu ishte vetëvrarë”, kujton Xhafer Peçi.

Ai thotë gjithashtu se arma me të cilën u vetëvra Mehmeti ishte një “Makarov”, regjistruar si dhuratë për kryeministrin shqiptar nga mareshali Zhukov gjatë vizitës së tij në Shqipëri. “Me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun njihesha që nga koha e luftës, ndërsa pas Çlirimit, për 10 vjet me radhë kam punuar për ruajtjen dhe sigurimin e jetës së tyre.”

Natën e vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu ka qenë në një ditëlindje. Në datën 17 dhjetor 1981, pas mbarimit të mbledhjes së Byrosë Politike, në orën 22:00, ai ka shkuar në ditëlindjen e sekretarit të tij, ku ka ndenjur deri në orën 1:00 të datës 18 dhjetor 1981. Pastaj ka shkuar direkt e në shtëpinë e tij. Nuk ka prova që të vërtetojnë se Kadriu ka shkuar atë natë te vila e kryeministrit. Nuk ka prova që të vërtetojnë se Kadriu ka rekomanduar vetëvrasjen apo ka kryer vetë ekzekutimin e tij. Është diskutuar shumë në medie fakti ende i pazbardhur se natën e vetëvrasjes Kadri Hazbiu ka pasur një takim konfidencial me Mehmet Shehun. Dy janë versionet e mundshme të këtij takimi, Kadri Hazbiu ose i ka rekomanduar kryeministrit të vrasë veten, ose ka qenë vetë ekzekutori i tij.

Por faktet shpesh kundërshtojnë njëri-tjetrin. I pyetur rreth një argumenti të tillë, ish-komandanti i Gardës Xhafer Peçi thotë: “Nuk e di dhe nuk mund të them gjë të saktë për këtë gjë. Unë di dhe them me siguri se natën e 17 dhjetorit Kadri Hazbiu së bashku me disa shokë të tjerë, oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes, kanë qenë në një darkë në Laprakë te sekretari i tij i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili festonte 40-vjetorin. Kadriu u nis për në Laprakë menjëherë sapo doli nga mbledhja e Byrosë Politike. Duhet të ketë qenë rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Për vendndodhjen e ministrit të Mbrojtjes unë, si komandant i Gardës, kisha informacion, sepse këtë ma lejonte detyra. Atë darkë ata qëndruan deri në orën 01:00 pas mesnate dhe më pas janë larguar për në shtëpitë e tyre. Unë nuk e di dhe nuk mund të them gjë se ku ka shkuar Kadri Hazbiu pas asaj darke”.

Duro Shehu ka shpjeguar me hollësi rrethanat, përfundimet e tij për ditën e vrasjes së kryeministrit. Në librin e tij me kujtime “Mehmet Shehu, im vëlla” ndër tjera rrëfen për ditën e vetëvrasjes së Mehmet Shehut, takimin me Fiqiretin, të bijtë, shërbyesen etj. Ai thotë se oficerët e Sigurimit që kishin mbushur vilën e Kryeministrit të vdekur nuk e kishin lënë t’i afrohej trupit të pajetë të të vëllait, për të parë se si e kishte marrë plumbi.

“Sa hymë në shtëpi, pyeta Fiqiretin se si ndodhi, ç’ngjau? Ajo nuk foli fare, por vuri gishtat e duarve te veshët si për të thënë se shtëpia përgjohej dhe nuk duhej të flisnim. Pyes Vladimirin, djalin e madh të Mehmetit, dhe ai më thotë: “Xhaxhi, nuk dimë gjë. Unë dhe Bardha (gruaja) nuk fjetëm tërë natën. Dhomën e kishim ngjitur me atë të babit, por nuk dëgjuam asgjë”. Pyes Farien, punëtoren që kishte shërbyer 30 vjet në shtëpinë e Mehmetit. Ajo tha: “Shoku kryeministër ishte shumë mirë, para një jave i kërkoi leje shokut Enver të shkonte për gjah në Elbasan. Vajti në mëngjes dhe erdhi në darkë. Më parë shkonte të shtunave dhe kthehej të dielave në darkë. S’di ç’të them! Kryeministri u vra. Më tepër nuk di ç’të them…”.

E pyeta prapë Farien se kush ishte me shërbim mbrëmë këtu. Unë isha në shtëpi, tha. Me shërbim ishte një vajzë e re, ajo që pe ti para se të shkoje në Vjenë, por ajo vajza iku natën, iku natën, nuk e di ku e çuan… Pyeta Ali Çenon, truprojën kryesore të Mehmetit, dhe ai më tha po ato fjalë që ka deklaruar edhe në shtyp: Unë, sipas grafikut të shërbimit, isha në shtëpinë time. Më kërkuan të vija dhe erdha. Pashë që nga dhoma e shokut Mehmet doli Kadri Hazbiu me një çantë të zezë në dorë… Sipas Gani Kodrës, përgjegjësit për sigurimin e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu në gjyq i kishte mohuar thëniet e Ali Çenos, duke thënë se atë natë ai kishte qenë në ditëlindjen e Elit, sekretares së tij, në Laprakë. Eli e mohoi. Kadriu tha se tek Eli vajti me vonesë… Ku ishte vonuar Kadriu?

Në dhomë ku kishin vendosur trupin e Mehmetit ishim ne të shtëpisë që bëheshim gjithsej dhjetë veta që po rrinim dhe 20 e ca oficerë të Sigurimit që rrinin në këmbë e na përgjonin ne. Nuk njihja asnjërin prej tyre. I them pas një copë here përgjegjësit të tyre: “A mund ta shoh ku e ka marrë plumbi Mehmetin?” “Jo“, më thotë. “Në asnjë mënyrë. Rri e përgjoje. Vetëm kaq”. Po ta kisha parë plagën e Mehmetit, si ushtarak që isha, mund të kuptoja diçka më shumë, pavarësisht se nuk isha ekspert kriminalist.

Pak pasi kisha pyetur përgjegjësin e oficerëve të Sigurimit për të parë plagën e Mehmetit, vjen një oficer tjetër i Sigurimit, më nxjerr në dhomën tjetër e më thotë: “Duro, kam urdhër të të them se që tani duhet të shkosh në shtëpinë tënde”. Mbi varrin e Mehmetit foli Vladimiri, djali i Mehmetit, ndërsa nga Kryeministria nuk u tha asnjë fjalë, nuk u vendos asnjë lule, asgjë. Nuk u lejuan të merrnin pjesë në varrim të afërm të tjerë të familjes, as miq e shokë që Mehmeti i kishte pasur me shumicë. Ishin marrë masa shumë të rrepta në Tiranë, por sidomos në zonat jugore të vendit. Në Tiranë nga shtëpia e Mehmetit e deri në varreza ishin bërë gardh njerëzit e Sigurimit e të policisë, të cilët nuk lejonin askënd, jo të kalonte atë gardh të tyre, por as të shikonte”.

“I telefonova Veli Llakës për të ma sqaruar më mirë lajmin që më kishte dhënë pak çaste më parë. ‘Të lutem, i thashë, më ndihmo të takohem me Kadri Hazbiun’. Në atë kohë ai bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Veliu, pasi më tha se Kadriu ndodhej në zyrë, më premtoi se do t’ia transmetonte kërkesën time. Prita në çaste të tëra në ankth. Shpresoja shumë se kontakti me të do të më orientonte për shumë gjëra. Kishin kaluar gati 40 minuta kur më telefonoi Veliu e më tha se më priste në zyrë ministri i Mbrojtjes. U nisa me një frymë. Rrugës sillja ndër mend lloj-lloj dilemash e qëndrimesh për atë që kishte ndodhur.

Kadri Hazbiu që do të takoja kishte qenë një nga miqtë më të afërt të Mehmetit dhe familjes sonë. Fakti që pranoi të më takonte më lehtësoi disi për gjëmën që parandieja. Po, çuditërisht, këtë radhë do të takoja një Kadri tjetër…”, tregon Duro Shehu. Sipas tij, Hazbiu i kishte thënë vetëm se Mehmeti ishte vetëvrarë dhe arsyeja ishte e bija e Turdijve.

“Aty për aty, gati pa vetëdije, i thashë se nuk dinim gjë përse bëhej fjalë, po Kadriu, që me sa dukej nuk fliste vetëm në emër të tij, kaloi nga momentet e sqarimit për atë që kishte ndodhur, te porositë zyrtare për atë që duhej të bënim ne familjarët pas këtyre çasteve. ‘Tani, më tha, lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se Partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj, me ato që ka bërë për atë fejesën, mund të dalë se ka qenë armik’.

Këmbëngula për t’i kërkuar edhe diçka tjetër, me bindjen që tek ai, pavarësisht këtyre rrethanave, nuk mund të ishte fshirë çdo gjë nga lidhjet shpirtërore me Mehmetin, por ishte e kotë. Atë çast Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzet dhe m’u drejtua përmbledhtazi: ‘Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!”. Ai kujton se Hazbiu e kishte porositur që ai vetë, si komunist, nuk duhet të merrte pjesë në varrimin e të vëllait, por vetëm të shkonte në shtëpinë e tij për të përgjuar trupin e pajetë.

I ndjekur nga njerëz të Sigurimit ai u drejtua për në shtëpinë ku kishte rënë zia. “Ishte një urdhër që të linte të kuptoje se ishte pleqëruar me majën e kupolës. Deshifrimi i tij më shkoqur do të thoshte se ceremoninë mortore do ta bënim vetëm ne familjarët. Lajmërova vëllezërit dhe aty nga mbrëmja u nisëm për te banesa e Mehmetit. E gjithë rruga për aty ishte blinduar me policë e roja të armatosura.

Në afërsi të vilës dy autoblinda të Gardës ishin vënë në pozicion luftimi. Në të gjitha godinat përreth pushkatarë e roja të armatosura vigjilonin si në momente luftimi. Kaluam mes tyre dhe u gjendëm në banesë. Arkivoli me trupin e pajetë të Mehmetit ishte vendosur në mesin e dhomës së madhe. Anash tij në karrige rrinte e shoqja dhe djemtë. Në shtëpinë e tyre disa njerëz të panjohur me revole në brez. Një pamje e rëndë, shumë e rëndë, me një heshtje torturuese, kishte pushtuar tërë mjedisin”./ 

Nga Qemal Lame

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat