Ministrja Ibrahimaj: Rritja e pagave, pjesë e paketës së dytë të rezistencës sociale në Shqipëri

Shqipëria

Ministrja Ibrahimaj: Rritja e pagave, pjesë e paketës së dytë të rezistencës sociale në Shqipëri

Më: 29 shtator 2022 Në ora: 14:36
Delina Ibrahimaj

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se rritja e pagave për disa kategori, është pjesë e paketës së dytë të rezistencës sociale.

Në një intervistë në një nga mediet në vend, Ibrahimaj u shpreh se ky vendim u mor, për shkak se kriza ekonomike pritet që të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

“Rritjet e pagave që kaluan dje me vendim të Këshillit të Ministrave, janë pjesë e paketës së rezistencës numër 2, që qeveria ka ndërmarrë në këtë vjeshtë. Na u desh të merrnim një vendim, nëse do të ecnim me një paketë të ngjashme me paketën e parë, e cila kishte karakter të përkohshëm, apo do të merrnim një vendim për disa masa apo iniciativa ligjore që do kishin karakter të përhershëm. Duke parë situatën ekonomike, krizën e cila me shumë gjasa do vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm, ne vendosëm të marrim këto masa, rritje pagash, indeksim për herë të dytë të pensioneve brenda një viti, që është hera e parë që ndodh, rritje të ndihmës ekonomike, rritje për herë të dytë të pagës minimale, etj ”, u shpreh ajo.

Ibrahimaj vuri theksin në faktin se qeveria shqiptare ka mbështetur buxhetet familjare dhe ato të biznesit të vogël dhe të mesëm edhe përmes subvencionit të çmimit të energjisë elektrike.

“Nëse nuk do të kishim subvencionuar çmimin e energjisë, por të kishim vepruar si shumë vende të tjera, duke transferuar rritjen e çmimit te konsumatori shpenzimet e buxheteve familjare dhe kostot e prodhimit të produkteve shqiptare do të ishin rritur ndjeshëm dhe do të përballeshim me ngadalësim të konsumit dhe aktivitetit ekonomik vendas. Ndërsa inflacioni nuk do të mund të ishte mbajtur në këtë nivel që në fakt është më i ulëti në rajon. Ne kemi bërë maksimumin duke konsideruar që Shqipëria vjen pas dy krizave të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë”, deklaroi ministrja.

Ibrahimaj theksoi se viti 2023 ka pasiguri të larta që lidhen jo me situatën ekonomike të vendit tone, por të vendeve të rajonit, partnerëve tregtarë, që sipas saj, në mënyrë të pashmangshme ndikon edhe në ekonominë tonë.

Këshilli i Ministrave vendosi ditën e djeshme rritje të pagave për punonjësit në Policinë e Shtetit, Policinë e Burgjeve, zjarrfikëset dhe administratën publike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat