Shqipëri, inflacioni i lartë, norma interesit rritet për të 4-tën herë në 6 muaj

Shqipëria

Shqipëri, inflacioni i lartë, norma interesit rritet për të 4-tën herë në 6 muaj

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 20:30
Foto ilustrim

Banka e Shqipërisë njoftoi të mërkurën se ka vendosur të rrisë sërish normën bazë të interesit, në përpjekje për t’iu kundërpërgjigjur rritjes së shpejtë të inflacionit, përtej parashikimeve të saj. Me vendimin e sotëm të Këshillit mbikqyrës së Bankës qendrore, norma baza rritet me 0,5 pikë përqindje, duke u ngjitur në kuotën e 2.25 përqind.

Për 11 vite me radhë, norma bazë e interesit njohu vetëm ulje, duke rënë në kuotën më të ulët historike prej 0.5 përqind. Nivel në të cilin qëndroi më pas e pandryshuar prej dy vitesh, deri kur në mars të këtij viti, Banka u detyrua të ndërhyjë, pas shenjave të para të rritjes së inflacionit. Dy ndërhyrje të tjera pasuan në muajt korrik dhe gusht. Vendimi i sotëm, është i katërti i radhës, në harkun e gati 6 muajve.

“Normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni tejet stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë dhe përmirësimit të mirëqenies sociale”, deklaroi guvernatori Gent Sejko.

Ndërsa në Janar inflacioni ishte në kuotat e 3.7 përqind, në korrik dhe gusht u ngjit në nivele të larta, respektivisht prej 7.5 dhe 8 përqind. Sipas Këshillit Mbikqyrës “rritja e shpejtë e çmimeve mbetet rreziku kryesor për stabilitetin monetar e financiar të vendit dhe për rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të tij”.

Rritja ekonomike e vendit ka dhënë gjithashtu shenja ngadalësimi. Sipas Institutit shqiptar të statistikave, Prodhimi i brendshëm bruto zbriti në nivelin 2.2 përqind në tremujorin e dytë, nga 6.5% në tremujorin pararendës. “Reduktimi i rritjes pasqyroi, në masën më të madhe, ngadalësimin e shpejtë të aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe të industrisë. Megjithatë, shenja të ngadalësimit ishin të pranishme edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë”, shpjegoi guvernatori Sejko.

Për vitin 2022, qeveria i qëndron parashikimeve për një rritje mesatare prej 3.2. Edhe Banka Botërore konfirmoi po këtë parashikim, ndërkohë që rishikoi me ulje vlerësimin e saj për ritmet e rritjes në vitin e ardhshëm, që sipas Bankës Botërore pritet të jetë në nivelin e 2.3 përqind, nga 3.5 përqind që ishte vlerësimi i saj i mëparshëm.

Nga ana e saj Banka e Shqipërisë shprehet se “ekonomia do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndonëse ritmi i rritjes do të jetë disi më i ulët. Përkeqësimi i perspektivës ekonomike në Evropë, ndikimi negativ që çmimet e larta kanë në fuqinë blerëse të familjeve, si dhe reduktimi i stimulit fiskal, pritet të ngadalësojnë konsumin familjar dhe investimet e bizneseve në vijim. Nga ana tjetër, niveli i lartë i depozitave, rritja e punësimit dhe e pagave, rritja e kredisë bankare dhe paketat e rezistencës sociale pritet të sigurojnë mbështetje për bilancet e sektorit privat”.

Banka Qendrore parashikon një inflacion të lartë dhe në gjysmën e dytë të këtij viti, dhe fillimin e uljes së tij gjatë 2023, me parashikimin që të kthehet në objektivin prej 3 përqind në gjysmën e parë të vitit 2024. Për këtë arsye ajo paralajmëroi ndërhyrje të tjera ndaj normës bazë të interesit. “Cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në tremujorët në vazhdim. Në çdo rast, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit”, nënvizoi guvernatori Sejko./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat