Prezantohet projektligji për buxhetin 2023, Ibrahimaj: Në korrik do ketë rritje tjetër page për arsimin dhe shëndetësinë

Shqipëria

Prezantohet projektligji për buxhetin 2023, Ibrahimaj: Në korrik do ketë rritje tjetër page për arsimin dhe shëndetësinë

Më: 22 tetor 2022 Në ora: 11:34
Delina Ibrahimaj

Në Konferencën e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, po prezanton projekt buxhetin 2023. Ministrja i Financave vijoi me prezantimin e projektbuxhetit. Ajo tha se vendi ka përballuar pozitivisht pasojat e luftës në Ukrainë dhe se rritja ekonomike është mbi parashikimet.

“Për vitin 2023, drafti që po prezantoj adreson sfida të rëndësishme. Politika fiskale do ketë objektiv ulja e stokut të borxhit publik dhe të rritet qëndrueshmëria ekonomike, jemi përballur deri më tani me rritje të madhe të inflacionit e megjithatë e kemi ndjeshëm më të ulët se vendet e rajonit. Morëm masa para se kriza të trokiste në derën tonë, zgjodhëm të subvenciononim çmimin e energjisë. Ne vendosëm një mburojë që na kushton shumë, duhen ruajtur parametrat kryesorë të ekonomisë, deri më tani kemi përballur mirë pasojat e luftës në Ukrainë. Ekonomia shqiptare ka pasur një rezistencë të mirë, rritja ekonomike në 6 muaj ishte 4.2%. Nga pikëpamja e ofertës agregate ka pasur rritje pozitive, papunësia ra dhe punësimi u rrit. Është rritur eksporti dhe investimet e huaja, me 35%/ Kursi i këmbimit të lekut ka qenë mjaft i qëndrueshëm, është mbiçmuar ndaj euros me 4% ndryshe nga viti i kaluar. Do shohim si do shkojë 3 mujori i katërt, të shohim zhvillimet në arenën ndërkombëtare, mos të harrojmë se dhe ekonomitë e vendeve më të mëdha kanë pësuar rënie. Ky është realiteti, ajo që është në dorën tonë është politika e kujdesshme. Parashikohet një rritje ekonomike me 2.6% për vitin 2023. Inflacioni mesatar 6.5-7% për vitin 2022. Ne si ministri financash besojmë se ka gjasa që inflacioni të ulet vitin e ardhshëm”, tha ajo.

Mbledhja pati debate pasi deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka thënë se qeveria nuk ka sjellë paketën fiskale.

“Po nuk e kemi Paketën Fiskale, ku është Paketa Fiskale? Si mundet qeveria të votojë projekt buxhetin kur s’ka paketë fiskale. Si do ndikojë ajo te buxheti dhe si është ndërtuar buxheti pa Paketë Fiskale?”, tha ajo.

Ndërsa mazhoranca vendosi vijimin e punës, duke sqaruar se paketa do prezantohet në vijim dhe votimi i buxhetit dhe paketës fiskale do bëhen bashkë. Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se prevalon ligji i buxhetit, ka afat ligji i buxhetit, jo Paketa Fiskale.

“Kështu qeveria ka respektuar ligjin dhe fakti që buxheti është bërë mbi bazën e disa planifikimeve, pasi buxheti është shumatore e të ardhurave dhe shpenzimeve”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat