​Xhaçka takim me Blinken: Thellim të bashkëpunimeve mes dy vendeve

Shqipëria

​Xhaçka takim me Blinken: Thellim të bashkëpunimeve mes dy vendeve

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 18:56
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikonfirmuar partneritetin strategjik dhe angazhohen për të vijuar bashkëpunimin me interes të përbashkët në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike, energjisë, transportit apo tregtisë.

Kjo ka qenë garancia e dhënë nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken në përfundim të dialogut të partneritetit strategjik.

Në takimin me dy delegacioneve shqiptare dhe amerikane, Blinken vlerësoi u shpreh se SHBA-të janë krenarë që kanë një aleat të besueshëm sikurse Shqipëria.

Ai vlerësoi bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e SHBA për ta thelluar bashkëpunimin në energji, biznes e të tjera duke e parë Shqipërinë si një pikë referimi në rajon.

Sekretari Blinken shprehu mirënjohjen e SHBA ndaj Shqipërisë si një aleat që gjithmonë ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj; vlerësoi faktin që Shqipëria strehoi shtetasit afganë dhe nënvizoi se SHBA do të jenë gjithmonë në krah të vendit tonë.

Kryediplomatja Xhaçka falënderoi sekretarin Blinken dhe qeverinë amerikane për mbështetjen dhe bashkëpunimin në mbrojtjen e demokracisë, situatës në Ukrainë, mbrojtjes kibernetike modernizimit të Forcave të Armatosura apo projekteve në zhvillimin në fushën e energjisë.

“Shqipëria e vlerëson shumë partneritetin e saj strategjik me SHBA-të dhe jemi të bindur se kjo marrëdhënie do të thellohet dhe zgjerohet më tej në të ardhmen duke u bazuar në themelet e qëndrueshme të miqësisë midis vendeve dhe njerëzve tanë”, u shpreh ministrja Xhaçka gjatë takimit me dy delegacionet.

Të martën në Departamentin e Shtetit u mbajt, takimi më i rëndësishëm i marrëdhënies politike mes dy vendeve: dialogu i partneritetit strategjik SHBA – Shqipëri. Në dialog morën pjesë përfaqësues nga 6 ministri si dhe nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, ai i Tregtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare ku u diskutuan rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat