PD ‘harron’ festën e Çlirimit/ Te “Varrezat e Dëshmorëve” vetëm familjarët: Jemi të zhgënjyer, asnjë organizim

Shqipëria

PD ‘harron’ festën e Çlirimit/ Te “Varrezat e Dëshmorëve” vetëm familjarët: Jemi të zhgënjyer, asnjë organizim

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 13:41
Familjar

Ndryshe nga çdo vit tjetër, asnjë përfaqësues i Partisë Demokratike nuk ka vizituar sot “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë me rastin e Pavarësisë, por edhe të “Çlirimit të Vendit”.

Familjarët e dëshmorëve kanë pritur me orë të tëra për ndonjë organizim nga kjo forcë politike ashtu siç u bë dhe vitin e kaluar. Ata u shprehën të zhgënjyer me PD-në duke theksuar se ditën e nesërme nuk do të jenë të pranishëm, kur presidenti i vendit dhe qeveria të kryejnë homazhet.

Vëllai i poetit Havzi Nela nga Kukësi, Shukri Nela u shpreh tepër i zhgënjyer me opozitën duke nënvizuar po ashtu se nesër nuk do të jetë te varrezat ku prehet dëshmori pasi babi i kryeministrit thotë ai ka firmosur për varjen e tij.

“Jam vëllai i Havzi Nelës, nesër nuk e du si festë, vetëm sot, mirëpo s’ka organizim. Vëllai im ka shkruar vjersha që në gjimnaz, poet është dhe kur erdh puna i linte në një qoshe ato valixhet me shkrime. Pse po shkruan i thashë, më tha i bëj nder Kukësit…Nesër kurrë nuk vij, babai i Edi Ramës ka firmos vrasjen e vëllait tim. PD kur do vijë, njerëzit ikën”-tha ai për Fax News.

Ndonëse 29 Nëntori njihet zyrtarisht apo me ligj si Festa e Çlirimit, e djathta ka ndjekur të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën nga 29 Nëntori më 28, pasi sipas saj kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist i Hoxhës, duke falsifikuar historinë, që data e çlirimit të Shqipërisë të përkonte me atë të çlirimit të ish Jugosllavisë së Titos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat