Rama pret Steinmeier në Kryeministri, flet me superlativa për Procesin e Berlinit dhe lë mënjanë “Ballkanin e Hapur”

Shqipëria

Rama pret Steinmeier në Kryeministri, flet me superlativa për Procesin e Berlinit dhe lë mënjanë “Ballkanin e Hapur”

Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 08:14
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama priti në Kryeministri presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier. Në bisedën mes tyre, shefi i qeverisë shqiptare vlerësoi faktin se përvoja si ministër i Jashtëm e diplomat të Steimeier, e ka ndihmuar së fundmi këtë në rolin e liderit për lehtësimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Edhe pse është ndër iniciatorët e flaktë të “Ballkanit të Hapur”, Rama vlerësoi në bisedime me Steinmeier Procesin e Berlinit.

“E mendojmë që është shumë mirë të kemi një ministër të Jashtëm si President në Gjermani, sepse është shumë e dobishme, duke njohur terrenin, duke njohur njerëzit, duke njohur dinamikën në terren për të gjitha vendet, sidomos në këtë rajon, ku siç e dini kemi dhe Procesin e Berlinit që po vazhdon, që në një farë mënyre është riorganizuar, është ripërtërirë, ku falë këtij procesi kanë ndodhur shumë gjëra të mira për rajonin”, u shpreh Kryeministri Rama gjatë takimit.

Nga ana tjetër, presidenti gjerman përgëzoi Ramën dhe qeverinë e tij për hapjen e negociatave për integrimin e vendit tonë në BE. Gjithashtu, Steinmeier vlerësoi progresin e vendit tonë në realizimin e reformës në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit.

“Nuk më kujtohet se sa herë jemi ulur dhe diskutuar për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Europës, por vërtetë përgëzime që keni arritur një gur të rëndësishëm themeli për nisjen e negociatave për anëtarësim dhe kjo është diçka mendoj, për të cilën, ju keni punuar i mbështetur nga shumë prej anëtarëve tuaj të parlamentit dhe pjesa më e madhe e elitës politike këtu në Shqipëri dhe besoj kjo do të inkurajojë marrjen e hapave të mëtejshme që janë të nevojshme në rrugëtimin drejt Europës. Kemi folur për reformat, kemi folur për reformën në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, kështu që mendoj se progresi është i nevojshëm, progresi është i mundur”, deklaroi presidenti gjerman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat