Plani Kombëtar i Pastrimit në Shqipëri, Kumbaro: 126 mijë tonë mbetje të pastruara

Shqipëria

Plani Kombëtar i Pastrimit në Shqipëri, Kumbaro: 126 mijë tonë mbetje të pastruara

Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 11:30
Mirela Kumbaro

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, pas një viti nga nisja e Planit Kombëtar të Pastrimit, së fundmi, ka publikuar rezultatet e këtij angazhimi të gjatë, koordinuar nga institucioni që ajo drejton me mbështetjen e Prefektëve, forcave të ushtrisë, bashkive përkatëse, institucioneve lokale dhe komunitetit.

Rreth 58,708 njerëz janë angazhuar në këtë plan për pastrimin e 1891 hotspoteve, që përkthehet në mbi 126 mijë tonë mbetje të grumbulluara në 12 qarqet e vendit.

“Plani Kombëtar i Pastrimit lindi si domosdoshmëri e gjendjes në territor dhe sensibilizim për sjelljen tonë karshi mjedisit. Ndërsa sot ka rezultate të prekshme, me mbi 126 mijë ton mbetje të pastruara nga territori, 1891 hotspote të pastruara, përmes angazhimit të 58,708 njerëzve në të gjitha bashkitë e 12 qarqeve. Angazhimi në Planin Kombëtar të Pastrimit ka qenë maksimal me pjesëmarrjen jo vetëm të atyre që e kanë detyrë funksionale procesin e pastrimit por edhe të administratës dhe organizimit të shkollave, si forma më e mirë e edukimit për të kuptuar se ku shkojnë mbetjet tona dhe ç’i bëjmë natyrës me papërgjegjshmërinë tonë”, ka nënvizuar ministrja Kumbaro.

Ajo ka paralajmëruar se plani që ka nisur nëntorin e kaluar, do të vijojë edhe përgjatë vitit 2023.

Plani i Pastrimit Kombëtar ka qenë një ndër angazhimet kryesore të këtij viti të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me qëllim menaxhimin e integruar të mbetjeve, së bashku me miratimin e ligjit për ndalimin e qeseve plastike një-përdorimshe, mbështetjen e katër bashkive bregdetare me dyfishim të forcave të pastrimit përgjatë sezonit si edhe rehabilitimin e shumë vend-depozitimeve në territor që ishin shndërruar në gangrena mjedisore si në rastet e Skraparit, Gjirokastrës, Burrelit, Këlcyrës, Beratit, Devollit etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat