Samiti i BE-së në Shqipëri, nis kufizimi i qarkullimit në disa akse rrugore

Shqipëria

Samiti i BE-së në Shqipëri, nis kufizimi i qarkullimit në disa akse rrugore

Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 11:32
Foto ilustrim

Policia e Shqipërisë do të nisë prej ditës së sotme (e hënë) zbatimin e masave të sigurisë në kuadër të Samtit të BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë më datë 6 dhjetor.

Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL.

Policia do të nisë zbatimin e masave për bllokimin e akseve rrugore që nga dita e sotme në orën 14:00 pas dreke deri në largimin e personaliteteve pjesëmarrës në Samit, shkruan ATSh.

Para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit është parashikuar perimetri i sigurisë ku do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve.

Brenda perimetrit të sigurisë do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve dhe banorëve rezident të zonës.

Akset rrugore ku ndalohet qarkullimi i automjeteve:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

Rruga “Dervish Hima”;

Rruga “Asim Zeneli”;

Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në akset rrugore:

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidentë në perimetrin e sigurisë, Policia ka sqaruar se:

– Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Gërmenji”;

– Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;

– Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;

– Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;

– Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Frederik Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;

– Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.

Bëhet e ditur se masat e planifikuara nga Policia e Shqipërisë, për këtë aktivitet konsistojnë në:

Garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit.

Organizimin e shërbimeve policore për sigurimin e të gjithë perimetrit të sigurisë së Samitit.

Sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë.

Eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës.

Eskortimi i delegacioneve nga PKK Hani i Hotit, Shkodër, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Hani i Hotit, Shkodër.

Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës.

Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, etj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat