PD e Berishës mbledh firmat për shkarkimin e Alibeajt, Salianji gati t’i zërë vendin! Xhaferaj: Mbështes nismën për…!

Shqipëria

PD e Berishës mbledh firmat për shkarkimin e Alibeajt, Salianji gati t’i zërë vendin! Xhaferaj: Mbështes nismën për…!

Më: 11 janar 2023 Në ora: 15:44
Alibeaj dhe Salianji

Vendimi për të përjashtuar 4 deputetë të Partisë Demokratike nga grupi parlamentar, me argumentin zyrtar se nuk kanë reflektuar për dhunën në protestën e 8 janarit të vitit të shkuar, e ka përballur Enkelejd Alibeajn, edhe me zemërimin e deputetëve të rreshtuar deri më tani krah tij.

Ferdinand Xhaferraj, i njohur për linjën kundër Berishës, nuk ngurron ta quajë maskaradë që dëmton Partinë Demokratike.

“Jam informuar në media dhe tregon për maskaradën e dimensionit demokratik që ka kjo vendimmarrje”.- u shpreh Ferdinand Xhaferraj.

Ashpër reaguan edhe deputetët e kampit Berisha. Edi Paloka, deputet dhe nënkryetar i PD së Rithemeluar e cilëson rënie të maskës së kreut të grupit demokrat.

“Është mëse i turpshëm, me një mungesë totale dinjiteti, është heqje totale e maskës së Alibeajt për bashkëpunimin me Ramën”- thotë Paloka.

Më shumë sesa mosdistancimi nga sulmi i selisë së PD-së, përjashtimi i 4 deputetëve, duket se lidhet me ambicien e Ervin Salianjit për të marrë drejtimin e grupit parlamentar të PD-së. Report Tv mëson se Salianji po mbledh firmat e deputetëve demokratë për shkarkimin e Alibeajt nga kryesimi i grupit. Burime pranë selisë blu thanë se Ervini Salianji ka siguruar të gjithë firmat e grupimit Berisha, çka solli edhe lëvizjen e Alibeajt për të zvogëluar përbërjen e grupit parlamentar me 4 deputetët që përjashtoi.

Në kushtet e pakënaqësisë ndaj përjashtimeve, votën pro shkarkimit të Alibeaj, e konfirmon në mënyrë indirekte edhe Ferdinand Xhaferraj.

“Do votoj pro çdo nisme që në gjykimin tim ndihmon që opozita të mos dobësohet”- u shpreh Xhaferraj.

“Shkarkimet janë të lidhura me firmat e Salianjit, nga frika se ka mbledhur firmat e nevojshme.”- u shpreh Paloka.

Vijimi i luftës brenda grupit parlamentar të PD, ka prodhuar edhe distancime. Deputeti Petrit Doda, që zëvendësoi mandatin e Alfred Rushajt, ka vendosur të mos bëhet pjesë e lojës së grupimeve në PD dhe mësohet se në Kuvend do të regjistrohet si deputet i pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat