Deputetja Tabaku thirrje kreut të SPAK: Duhet përcaktuar një prokuror special për hetimin e abuzimeve në zgjedhje

Shqipëria

Deputetja Tabaku thirrje kreut të SPAK: Duhet përcaktuar një prokuror special për hetimin e abuzimeve në zgjedhje

Më: 27 janar 2023 Në ora: 15:37
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Altin Dumani

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku i ka kërkuar kreut të ri të SPAK-ut, Altin Dumanit që të përcaktojë një prokuror special për të hetuar abuzimet në zgjedhje, teksa na ndajnë pak muaj nga “vendoret” e 14 majit.

Përmes një postimi në Facebook, Tabaku thotë se komisioni për reformën zgjedhore duhet të rregullojë edhe çështjen e financimit të partive politike, si një kërkesë e Bashkimit Europian.

Postimi i Jorida Tabakut:

SPAK duhet të përcaktojë një Prokuror Special për zgjedhjet dhe duhet rregulluar çështja e Financimit të partive politike.

E para, fokus të veçantë në procesin e integrimit duke e shndërruar atë në proces gjithpërfshirës. Detyra jonë është “Të Ndërtojmë Europën këtu!”. Ligji për rolin e Kuvendit është një hap drejt gjithëpërfshirjes në shërbim të qytetarëve dhe një hop cilësor në procesin e integrimit.

E dyta, duke mikpritur kryetarin e ri të SPAK dhe duke i uruar punë të mbarë dua të shtoj një kërkesë në emër të PD. I kërkoj z. Dumani që për të luftuar realisht abuzimet me zgjedhjet dhe përdorimin e krimit për të ndërhyrë tek zgjedhjet, sikundër dhe dosjet 184 dhe 339; Përcaktimin e një Prokurori Special në SPAK për të hetuar krimet elektorale.

E treta, Komisioni për reformën Zgjedhore adHoc duhet të rregullojë çështjen e financimit të partive politike, që është një kërkesë e kahershme BE dhe partnerëve tanë strategjikë. Modele ka plot, nga Bashkimi Europian deri në SHBA. Ne, nuk mund të presim hetimet e FBI që të zbulojmë elefantin në dhomën tonë. Duhet të nxitojmë!

Kreu i SPAK, Altin Dumani ishte i pranishëm sot në mbledhjen e Këshillit të Integrimit, ku ishte edhe raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat