21 janari në SPAK/ Ish-kryeprokurorja e Tiranës: Kushdo që ka dijeni se Berisha urdhëroi vrasjet e 4 protestuesve, le të dëshmojë

Shqipëria

21 janari në SPAK/ Ish-kryeprokurorja e Tiranës: Kushdo që ka dijeni se Berisha urdhëroi vrasjet e 4 protestuesve, le të dëshmojë

Më: 28 janar 2023 Në ora: 07:18
Ish Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj

Ish Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj ka folur për kallëzimin e bërë nga ministri Ulsi Manja në SPAK për 21 janarin e 2011-tës ku mbetën të vdekur katër protestues. E ftuar në studion e emisionit ‘Pa Protokoll’ në Report TV, ajo tha se cilido politikan apo kushdo tjetër që ka dijeni se urdhrin për të shtënë drejt protestuesve e ka dhënë ish kryeministri, Sali Berisha, duhet të shkojë të dëshmojë në prokurori.

“Ne kemi një kallëzim që na thjotë se ka dalë një audiopërgjim. E zëmë se e marrim këtë audiopërgjim. Kushdo individ, politikan që ka dijeni që këtë urdhrin e ka dhënë Berisha të vijë të dëshmojë. Të tregojë se nga e ka marrë dijeninë, të verifikojmë edhe pjesën tjetër. Pritshmëria e publikut është e tillë që për shkak të impaktit publik që ka dhe për shkak të atyre viktimave, duhen ndjekur këto etapa. A kemi sot ne një individ që del dhe thotë se urdhrin e ka dhënë Basha? Askush nuk e ndalon prokurorinë të japë urdhër për thirrjen e dëshmitarëve që kanë dijeni për këtë çështje”-u  shpreh Imeraj.

Ndërsa avokati, Genc Gjokutaj tha se qeveria kërkon të përdorë 21 janarin në mënyrë politike për të hequr vëmendjen nga skandalet e tjera. Avokati shtoi më tej se më herët asnjë nga deputetët apo zyrtarët e qeverisë aktuale, asokohe nuk kanë dhënë detaje të reja lidhur me këtë ngjarje dhe nuk kanë pasur pretendimet që kanë sot. Ai tha se në turmën e protestuesve, rreth 200 persona kanë qenë të paguar me para për të sulmuar policinë.

“Këtë çështje maratonë e bën politika, hapet në orën 8 të mëngjesit çdo 21 janar dhe mbyllet. Kaq kujdes kanë. Kjo është groteske për familjarët. Nuk po marrim në mbrojtje askënd por 21 janarin këron ta përdorë politika. Unë kam qenë avokat i Ndrea Prendit, do të parashtroj disa fakte. Të gjithë këta të mazhorancës kanë qenë në gjyq dhe kanë dëshmuar se çfarë kanë bërë në ato momente, nuk kanë nxjerrë asnjë pretendim të tilla siç i nxjerrin sot. Nuk del njeri konkretisht. Nuk është hetuar fakti që atje 200 protestues kanë qenë të paguar me para. Nuk është hetuar kjo.

Po ta ndiqni mekanizmin atje është një bërthamë protestuesish. Është një pjesë sulmuese, të tjerët janë solidarë vetëm nuk kanë sulmuar. Kemi të provuar se objekti është sulmuar, po ashtu edhe forcat e policisë. Ekzistenca e këtij fakti ndryshon kahjen e kësaj çështje. Vetëm inertet në oborrin e kryeministrisë kanë qenë të mbushuara plot 4 automjete”-tha Gjokutaj.

Sa i takon audiopërgjimit, avokati tha se nuk bëhet fjalë për një audiopërgjim të mirëfilltë.

“Kallëzimi i ministrit të Drejtësisë, ka një ngërç të madh moral. Ministri nuk ka të drejtë orale të kallëzojë sepse nuk ka dijeni mbi 21 janarin. Është marrë nga video zëri dhe hiqet si audio përgjim. Është marrë nga një video nga njëra prej mediave”shtoi Gjokutaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat