Policia pastron nga kamerat territorin e banimit në zonën luksoze të Endrit Dokles! Asnjë i arrestuar deri tani

Shqipëria

Policia pastron nga kamerat territorin e banimit në zonën luksoze të Endrit Dokles! Asnjë i arrestuar deri tani

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 08:36
Foto nga vendngjarja

Policia e Shtetit vijon aksionin për shkuljen e kamerave të sigurisë në të gjithë vendin, ndërkohë që ata kanë mundur të identifikojnë edhe të zotët e këtyre kamerave.

Ndër një mori emrash të njohur të botës së krimit, të cilët kanë mbajtur të survejuar që nga distanca vendbanimet e tyre, spikat edhe emri i Endrit Dokles, personit të vënë nën një sërë dyshimesh për ngjarjet e muajve të fundit që kanë tronditur vendin. Policia në zonën ku ai banon pretendon se ka shkulur 5 kamera, të cilat i përkisnin pronës së tij, ndërkohë që po hetohet në gjendje të lirë.

Duke qenë se është vendosur në qendër akuzash Dokle dyshohet se kishte marrë masat për të survejuar lagjen ku banonte me kamera sigurie të vendosura në mënyrë të paligjshme. Policia e Tiranës çmontoi pranë zonës së tij në Rrugën e Vilave në afërsi të TEG-ut 5 kamera, dhe po e heton në gjendje të lirë. Dokle, u përfshi së fundmi në lajmet e kronikës pas rrëfimit të Nuredin Dumanit se Ervis Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro për ta eliminuar, por e kishte konsideruar pre të vështirë. Bashkë me Doklen po hetohen për vendosjen e kamerave kundër ligjit për të vëzhguar rivalët dhe policinë, edhe 8 të tjerë në Tiranë, në ditën e dytë të aksionit për çmontimin e 65 kamerave në kuadër të operacionit “Fijet”. Në mesin e tyre janë edhe Julian Malutaj, Aurel Penci dhe Ismet Kumarakaj. Aksioni vijoi edhe në Kamzë, Kombinat dhe Astir. Vetëm në kryeqytet janë çmontuar 220 kamera dhe totali i atyre që po hetohen ka shkuar në 46.

“Fijet” në qarqe

Operacioni “Fijet” u shtri edhe në qarkun e Elbasanit. Atje u çmontuan 37 kamera, 28 prej të cilave në qytet në lagjet “5 Maji”, “Sul Paprri”, “Syrja Dylgjeri” dhe “Çlirimi”, 5 në Peqin dhe 4 të tjera në Gramsh. Policia atje po heton 10 persona, identiteti i të cilëve nuk bëhet me dije. Por se pse u deshën kaq kohë që rendi të kishte në vëmendje këtë çështje mjaft sensitive, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi thotë se duhet marrë mesazhi pozitiv i kësaj lëvizjeje. Për të, duhet lënë pas e shkuara dhe të jepet mesazhi nga ana e policisë ndaj grupeve kriminale, që nga ky moment e tutje, nuk do të ketë më lirshmëri të krimit. Që prej fillimit të operacionit “Fijet” policia ka asgjësuar 451 kamera sigurie të vendosura pa leje dhe me synim spiunimin e grupeve rivale dhe efektivëve të policisë. Nën hetim, në 9 qarqe ku operacioni është shtrirë janë vënë 83 persona, një pjesë e madhe e të cilëve me precedent të theksuar kriminal. Emra si Plaurent Dervishaj, Avdylajt e Shijakut, Saimir Taullau në Lushnje, e më gjerë.

Reagimi i Çuçi

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, është shprehur se çmontimi i kamerave është mesazh pozitiv dhe se policia i ka dhënë një mesazh krimit. “Lajmi është që po ndërhyjmë dhe kjo është gjë pozitive në luftën kundër krimit të organizuar. Ka pasur një lloj kamuflimi se sa i takon bizneseve është detyrim ligjor që të mbajë kamera që survejojnë ambientin. Duhet t’ia lamë ë këtë gjë të shkuarës dhe të shohim për këtë punë që po bën policia për të dhënë një tjetër mesazh krimit të organizuar dhe çdo shkelësi të ligjit s’ka hapësira për të krijuar një mjedis ku mund të veprojnë të lirë.”- tha Çuçi,

Mes personave që janë nën hetim për vendosjen e kamerave spiune në Tiranë janë Endrit Dokle, Julian Malutaj, Aurel Penci dhe Ismet Kumarakaj. Policia ka njoftuar se janë hequr 65 kamera të tjera në qarkun e Tiranës ndërsa 9 persona janë nën hetim. Në total në Tiranë janë hequr 220 kamera dhe nën hetim janë 44 persona. Në zbatim të këtij plani operacional, në Rrugën e Vilave, “Azem Hajdari”, “Azem Galica”, “Europa”, “Sabri Preveza”, “Sarina”, “Staf Melani”, “Ali Kelmendi”, janë çmontuar 65 kamera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat