Aleanca me Metën irriton aleatët e Berishës, Alimadhi valë akuzash: Po bëhet gjithçka për të përçarë opozitën

Shqipëria

Aleanca me Metën irriton aleatët e Berishës, Alimadhi valë akuzash: Po bëhet gjithçka për të përçarë opozitën

Më: 21 mars 2023 Në ora: 10:28
Adriatik Alimadhi

Vendimi i Berishës për të shkuar në zgjedhje vetëm krah Ilir Metës, Vangjel Dulës dhe Nard Ndokës ka krijuar irritim te partitë e tjera aleate të PD. Pak muaj më parë Berisha i mblodhi në një takim të gjithë “aleatët e vegjël” dhe ju premtoi bashkëpunim. Por kur erdhi puna te 14 maji, ai duket se i la në baltë. Kjo ka sjellë dhe reagime, ku ka qenë kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, i cili dje ka reaguar në rrjetet sociale duke marrë shkas nga një deklaratë e Petrit Vasilit.

“Një pyetje me shumë të drejtë dhe me shume interes për rezultatin opozitar në zgjedhjet e 14 Majit 2023, nga gazetarja Ola Bruko. “Pse nuk janë në koalicion të gjitha partitë që kanë dalë historikisht me opozitën?”. Përgjigjja e zotit Vasili: “Çështje pengesash dhe teknikalitetesh”. Aspak e vërtetë, kjo është një ide jo e drejtë sepse në zgjedhjet e 2021 kanë dalë të gjitha subjektet duke vendosur kandidatët në një listë të përbashkët dhe me siglat e të gjitha subjekteve politike të opozitës, ku kane firmosur deputetë e subjekteve të tjera”, shkruan Alimadhi.

Më tej ai deklaroi se partitë e tjera kanë pritur një ftesë për koalicion, por ajo nuk ka ardhur.

Sipas tij, një gjë e tillë vetëm sa përçan opozitën.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe një hile me dashje sepse sot janë regjistruar edhe tre subjekte të tjera opozitare me tre firma deputetësh të një subjekti tjetër, të përzgjedhura dhe të seleksionuara sipas dëshirës. Kjo nuk është e vërtetë sepse edhe në zgjedhjet e mëparshme janë regjistruar koalicione me këto mënyra. Subjektet opozitare kanë pritur dhe po presin mundësitë e një koalicioni në vazhdim, por nuk janë përfillur apo të thirren se do jenë pjesë e këtij koalicioni. Nuk di kush e ka zgjedhur dhe vendosur këtë formule koalicioni, por mendoj se do të jetë një përçarje me subjektet opozitare dhe zgjedhjet vendore te 14 Maj 2023 rrezikohen po të ngelet vetëm ky koalicion, gjithsesi jemi në pritje deri në afatet ligjore”, nënvizoi Alimadhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat