Zbulohen emrat e Ramës dhe Berishës për zgjedhjet e 14 majit! Kryeministri ndërron kryebashkiakët me probleme me ligjin

Shqipëria

Zbulohen emrat e Ramës dhe Berishës për zgjedhjet e 14 majit! Kryeministri ndërron kryebashkiakët me probleme me ligjin

Më: 22 mars 2023 Në ora: 00:10
Sali Berisha, Enkelejd Alibeaj, Edi Rama

Ndërkohë që kanë mbetur më pak se dy muaj nga zgjedhjet lokale të 14 majit, janë zbuluar emrat e disa prej kandidatëve për kryetarët e bashkive të disa prej qyteteve kryesore në vend.

Emisioni “Open” në News 24 ka publikuar përballjet në qytetet kryesore të vendit ku Elbasani, Durrësi dhe Shkodra pritet të jenë edhe garat më interesante të këtyre zgjedhjeve.

Ashtu siç është konfirmuar tashmë PS do të rikandojë Erion Veliajn në Tiranë, Gledjan Llatjen në Elbasan, Emirajan Sakon në Durrës si dhe kandidojë për herë të parë Benet Becin në Shkodër.

Nga ana tjetër grupi i Berishës, i cili do të kandidojë nën logon “Bashkë Fitojmë” në koalicion me Ilir Metën, Vangjel Dulen dhe Nard Ndokën, do të kandidojnë dy deputetët Belind Këllici dhe Luçiano Boçi në Tiranë e Elbasan, ish deputetin Igli Cara në Durrës dhe do të rikandidojë Bardh Spahinë në Shkodër.

Në Vorë, një bashki ku kryebashkiaku socialist Agim Kajmaku u arrestua, socialistët do të kandidojnë Blerim Sherën përballë sekretarit të PD-së për Diasporën, Indrit Hoxha.

Një tjetër qytet ku Rama ka vendosur të zëvendësojë lojtarin e tij është Vlora, ku Dritan Leli prej kohësh ishte kthyer në “armik” të kryeministrit.

Në këtë qytet bastion të të majtës, emri më i lakuar është ai i ish shefit të Protokollit në Ministrinë e Jashtme në kohën e Berishës, Ermal Dredha. Ndërsa kandidati i opozitës do të jetë Hysen Sharra.

Rama ka vendosur gjithashtu që në shumicën e bashkive të rikandidojë kryetarët aktualë, ndërkohë që e djathta do të jetë në pritje deri në hënën në mbrëmje për të parë nëse PD e Alibeajt do të fuse kandidatë për kryetarë të bashkive, apo do të mjaftohet vetëm me këshilltarë bashkiakë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat