Shqipëria dhe RMV 30 vite marrëdhënie diplomatike/ Xhaçka: Model bashkëpunimi mes fqinjëve në rajonin tonë

Shqipëria

Shqipëria dhe RMV 30 vite marrëdhënie diplomatike/ Xhaçka: Model bashkëpunimi mes fqinjëve në rajonin tonë

Më: 27 mars 2023 Në ora: 12:46
Olta Xhaçka

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shënojnë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në kuadër të këtij rasti, ministrja e jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka po zhvillon një vizitë zyrtare në Shkup.

Gjatë konferencës së përbashkët me homologun. Bujar Osmani, ministrja e jashtme e Shqipërisë vlerësoi partneritetin mes dy vendeve, ku përmendi dhe rrugëtimin e përbashkët në anëtarësimin drejt BE.

Në të njëjtën kohë Xhaçka inkurajoi aktorët politikë të Maqedonisë së Veriut të përmbushin angazhimet për integrimin e vendit.

“Qeveritë tona kanë komunikim miqësor për një gamë çështjes, model bashkëpunimi mes fqinjëve në rajonin tonë. Vendet tona janë duke dhënë kontribut në ndërlidhjen e rajonit dhe kontribut drejt perspektivës euroatlantike. Biseduam se si mund ta intensifikojmë bashkëpunimin mes nesh. Ne sot takohemi si ministra të jashtëm të dy vendeve që janë anëtare të NATO-s. Që procesi ynë i integrimit të avancoj qëndrueshëm dhe me rezultate konkrete, andaj inkurajoj aktorët politik në Maqedoninë e Veriut që të kontribuojnë me konstruktivitet në përmbushjen e angazhimeve që do ti hapin rrugë përparimit të procesit të integrimit të vendit. Me këtë rast dua të vlerësoj rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata kanë dëshmuar se janë kontributor të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit përkrahës të pa-rezervë të procesit të integrimit të vendit”, tha Olta Xhaçka, ministre e Jashtme e Shqipërisë. 

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi se partneriteti i dy vendeve u dëshmua në rrugën e përbashkët drejt BE, ku Shqipëria nuk zgjodhi që të ecte e vetme.

“Këtë vit shënojmë 30 vjet nga Marrëdhëniet diplomatike. Ky partneritet u demonstrua para negociatave për anëtarësim në BE, me ç’rastë Shqipëria kishte mundësinë që të ecte e vetme në këtë rrugë, por shprehu durimin dhe shprehu mirëkuptim për qëndrimin tonë gjatë asaj periudhe. Me kolegen Xhaçka u pajtuam se kemi prioritete të përbashkëta në rrugën evropiane dhe se jemi aleatë në NATO. Bashkë po kalojmë me sukses procesin e skriningut. Bashkëpunimi ekonomik është i suksesshëm por jo i mjaftueshëm. Biseduam edhe për marrëveshjen e Kosovës dhe Serbisë në Ohër, ne e përshëndetëm këtë marrëveshje sepse ata janë fqinjë tanë. Thamë se marrëveshja ekzisto dhe se palët duhet ta implementojnë dhe ne jemi këtu për të ndihmuar”, deklaroi ministri i jashtëm Bujar Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat