Skandali i Ballukut, BIRN: E blen energjinë elektrike me 305 euro/MWH dhe e shet me 174 euro

Shqipëria

Skandali i Ballukut, BIRN: E blen energjinë elektrike me 305 euro/MWH dhe e shet me 174 euro

Më: 7 prill 2023 Në ora: 22:43
Belinda Balluku

Shqipëria importoi 1.4 miliardë kWH energji elektrike gjatë vitit 2022 me një kosto totale prej 503 milionë eurosh ndërsa eksportet e vendit në prill dhe dhjetor ishin 194 milionë kWH me të ardhura prej 38 milionë eurosh, pasi çmimi i eksportit ishte ndjeshëm më i ulët se sa çmimi i importit.

Të dhënat e detajuara të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se KESH importoi përgjatë të gjithë vitit me përjashtim të dhjetorit ndërsa eksportoi një sasi të vogël energjie në prill si dhe në nëntor e dhjetor.

Çmimi mesatar i blerjes së energjisë ishte 305 euro për MWh, çmimi më i lartë i shënuar ndonjëherë në histori, ndërsa çmimi i shitjes së energjisë në kushtet kur reshjet ishin të shumta, ishte 174 euro për MWh.

KESH shiti një sasi energjie me vlerë totale 2 milionë euro në prill të vitit të kaluar, me çmim shitjeje pre 143 euros për MWh ndërsa në të njëjtin muaj, bleu 10 milionë euro energji me çmim 209 euro për MWh.

Në nëntor, KESH importoi energji me çmimin 210 euro për MWh ndërsa e eksportoi për 196 euro për MWh.

Çmimi më i lartë i importit u shënua në muajt gusht dhe shtator kur u pagua mbi 480 euro për mWh. Çmimi i shitjes së energjisë te konsumatorët familjarë është më pak se 10 cent të euros për kWh, ose 100 euro për MWH.

EFT AG ishte kompania kryesore e furnizimit të Shqipërisë me energji. Blerjet nga kjo kompani ishin mbi 100 milionë euro. Kompanitë e tjera të mëdha ishin AlbEsp, Ayen Energy Trading, GSA dhe TID.

Çmimet e energjisë elektrike ishin jashtëzakonisht të larta në Evropë gjatë vitit të kaluar si pasojë e krizës së shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Shqipërisë iu desh të importojë më pak se 11% të totalit të konsumit të vet me kosto shumë të lartë. Konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri u ul gjatë vitit të kaluar në krahasim me vitin e mëparshëm, por jo mjaftueshëm sa për të reduktuar nevojën për importe. Konsumi u ul me 5.4%, nga ku të gjitha reduktimet u shkaktuan nga biznesi që furnizohet në treg të hapur me çmime reale.

Kostoja e stërmadhe e energjisë së importuar u mbulua nga taksapaguesit.

Humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes ishin 1.57 miliardë kWh, shifër kjo pak më e lartë se sa energjia totale e importuar. Humbjet në rrjet shkaktohen nga vjedhjet si dhe nga mosmirëmbajtja e duhur e pajisjeve të sistemit. Humbjet kanë pësuar reduktim minimal përgjatë katër viteve të fundit, pavarësisht se çmimi i shitjes, me përjashtim të vitit 2022, ka përfshirë kostot e nevojshme të mirëmbajtjes së rrjetit, të cilat, teorikisht do të duhej të kishin sjellë reduktim të humbjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat