Shkodër: Arqipeshkvi Massafra uron besimtarët për Pashkët

Shqipëria

Shkodër: Arqipeshkvi Massafra uron besimtarët për Pashkët

Më: 8 prill 2023 Në ora: 18:50
Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra

Në prag të meshës tradicionale të Pashkëve, që mbahet sonte në mesnatë, Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, përmes një mesazhi, uroj të gjithë besimtarët që të angazhohen seriozisht për ta ndërtuar të mirën. Nuk ka rëndësi se çfarë pengesash na dalin përpara, tha imzot Massafra, ne nuk mund të lejojmë asgjë dhe askënd të na e rrëmbejë shpresën që vjen nga Ringjallja e Jezusit.

Në mesazhin e përvitshëm në prag të vigjiljes se Pashkëve, që mbahen në mesnatë dhe që shënon ringjalljen e Krishtit, kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, u kërkoi besimtarëve t’a mirëpresin ngjalljen e Krishtit, si të vetmin shpëtimtar dhe si një kumtim i shpresës, i një energjie të re për të marrë prej tij mbështetjen dhe forcën në përballjen me sfidat e jetës.

Dua t'u drejtoj një mesazh shprese të gjithë atyre që do t'u arrijnë këto fjalë të mia. Vështirësitë e jetës nuk e kanë fjalën e fundit dhe as nuk mund t'ia lejojmë vetes t'i dorëzohemi këtij tundimi djallëzor. Nëse kemi besim në Krishtin e Ringjallur, i kemi edhe mundësitë që të përballojmë gjithçka me guxim, angazhim dhe bujari. Nuk mund të ketë situata që na pengojnë të jemi njerëz të rinj, të aftë për të guxuar, për të ëndërruar”.

Arqipeshkvi Massafra tha se, nuk mund të ketë situata që të pengojnë besimtarët për të qenë të aftë për të guxuar dhe për të nderuar të afërmit e tyre. Imzot Massafra kujtoi vizitën, 9 vite më parë, të Papa Françeskut në Shqipëri, i cili tha se nuk mund të lejojmë asgjë dhe askënd që të na rrëmbejë shpresën.

“Nëse jemi besimtarë të vërtetë në Krishtin, ka ardhur koha, dhe është në këtë moment, që të angazhohemi seriozisht për t’a ndërtuar të mirën. Nuk ka rëndësi se çfarë pengesash na dalin përpara, nuk ka rëndësi se sa njerëz apo situata do të rreshtohen kundër nesh. Ky është momenti për të vepruar me gjithë shpresën dhe energjitë, por mbi të gjitha me energjitë që na vijnë nga feja në Krishtin Zot”.

Në prag të vigjiljes së Pashkës, imzot Massafra u bëri thirrje besimtarëve që të mendojnë për familjen, personat që vuajnë nga sëmundja, dhimbja, vështirësitë ekonomike, padrejtësitë nga hakmarrja, duke i’u kujtuar se pavarësisht gjithçkaje, ringjallja është e mundur për të gjithë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat