Veliaj, takime në njësinë 9/ Bisedat në rrugë me banorët e kryeqytetit

Shqipëria

Veliaj, takime në njësinë 9/ Bisedat në rrugë me banorët e kryeqytetit

Më: 25 prill 2023 Në ora: 14:54
Foto nga vendi i ngjarjes

Kandidati socialist për Tiranën, Erion Veliaj në vijim të turit të tij elektoral, u ndal tek njësia nr.9 në kryeqytet ku u takua me banorë të zonës.

“Njerëzit që takuam sot na kujtuan se sa është rritur vlera e pronës, e biznesit, sa është rritur hapësira ku ecim në trotuar, se si kanë ikur parkingjet e autobusëve që bllokonin “Zogun I” etj. Ne i harrojmë shumë shpejt ndryshimet, por këtu ka qenë e gjitha një ferrishte me kangjella. Ky Bulevard është fakt i asaj se çfarë ndodh kur bashkia dhe qeveria bashkëpunojnë dhe nuk e pengojnë njëra-tjetrën”.

Veliaj tha se vetëm në këtë zonë janë ndërtuar 5 shkolla të reja.

“‘Sami Frashëri’ apo ‘Dora D’Istria’ janë vetëm dy nga shkollat. Vetëm në një segment, duke filluar nga “Mine Peza” deri te “Don Bosko”, ne kemi një pafundësi shkollash si “Hasan Vogli”, “Qazim Turdiu”, “Kristo Frashëri”, “Vaçe Zela”. Fakti që shkolla të tjera si ‘Samiu’, apo ‘Servete Maçi’ janë sot niveli më i lartë i ndërtesave shkollore, kurse spitale si QSUT-ja dhe Materniteti i Ri janë niveli më i lartë që ka pasur shëndetësia në Shqipëri, gjërat nuk janë perfekt, por padyshim janë ditët më të mira të Tiranës në punët e qeverisë dhe në punët e Bashkisë, ndaj dhe dëshira është që të vazhdojmë përpara”.

Kandidati i PS për  Tiranën ndau edhe disa nga projektet  e bashkisë në zonën e Bulevardit të Ri.

Ne duam të vazhdojmë zhvillimin në drejtim të “Bulevardit të Ri”. Kjo është arsyeja pse ne bëmë garën për Pallatin e ri të Koncerteve, të Panaireve dhe të Konventave, sepse Pallati i Kongreseve sot e ka tejkaluar kapacitetin. Na duhet një hapësirë në veri të Tiranës, aty do kalojë Bashkia e re, aty kemi vendosur të çojmë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën e Lartë. Duke vajtur kaq shumë institucione shtetërore i japim më shumë besim edhe privatëve, që të zhvillojnë dhe qartazi duam që Tirana të balancohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat