Kapet mashtruesja e “600 mijë eurove”, merrte para për “bono thesari” dhe për “lirim nga burgu”

Shqipëria

Kapet mashtruesja e “600 mijë eurove”, merrte para për “bono thesari” dhe për “lirim nga burgu”

Më: 24 maj 2023 Në ora: 17:22
Milena Deraj

Disa foto në institucionet shtetërore shqiptare, si dhe CV si punonjëse e Bankës së Shqipërisë i mjaftoi një 30-vjeçareje të mashtronte duke përfituar rreth 600 mijë euro, por kërcënimi nga një i mashtruar e nxori zbuluar dhe u vu në pranga nga policia e Tiranës.

Milena Deraj prej një viti nuk punonte më si ekonomiste në Bankën e Shqipërisë, por megjithatë ajo bindi një biznesmene nga Divjaka se vazhdonte ta bënte këtë punë duke i zhvatur 230 mijë euro kundrejt premtimit se do t’i konvertonte në bono thesari.

Me paratë e marra 30-vjeçarja kishte blerë apartamente në Tepelenë.

Uria për para nuk u shua me shumën e majme dhe Milena Deraj i hyri një rruge të rrezikshme në të cilën e futi dhe veten në kurth.

30 vjeçarja ra në kontakt me Hasan Veracakun dhe dy bijtë e tij duke iu zhvatur 340 mijë euro me premtimin se do u mbyllte procesin gjyqësor për vrasjen e katërfishtë të ndodhur në Velipojë.

Më 26 qershor të vitit 2021 konflikti për hapësirën e plazhit mes dy familjeve pronare hotelesh në Velipojë, Ferracakëve dhe Gocajve solli vrasjen e 4 personave. Viktimat e ngjarjes ishin biznesmeni i njohur i zonës, Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit  Xhovani Gocaj e Edmond Gocaj dhe punonjësi i hotelit,17 vjeçari  Myzerim Zeneli, i cili ishte në ditën e parë të punës.

Kur premtimi nuk u mbajt familja Veracaku kërcënoi 30 vjeçaren për vetëgjygjësi çka e solli konfliktin e tyre para policisë. Milena Deraj u arrestua me akuzën e mashtrimit me shuma të mëdha ndërsa Hasan Verarracaku dhe dy bijtë u shpallën në kërkim.

Njoftimi i plotë

Finalizohet nga strukturat hetimore të DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Last fraud”.  Iu mori disa herë, shuma të mëdha parash, 3 shtetasve (familjarë), duke i mashtuar se do t’i ndihmonte në një proces gjyqësor, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçarja. Nga hetimet e thelluara dokumentohet dhe një rast i marrjes së shumës 230 000 euro nga kjo shtetase, me anë të mashtrimit. Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Last fraud”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases M. D., 30 vjeçe, banuese në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe H. V. (babai dhe dy djemtë), të tre banues në Shkodër. Kjo shtetase iu ka marrë në mënyrë të përsëritur, shuma të mëdha parash, shtetasve A. V., Sh. V. dhe H. V., duke i premtuar se do t’i ndihmonte ata në një proces gjyqësor.

Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe H. V., pasi me vetëgjyqësi kanë kanosur shtetasen M. D., për kthimin e parave. Nga veprimet e thelluara hetimore është dokumentuar edhe një rast tjetër mashtrimi i kryer nga shtetasja M. D.,e cila gjatë një viti, i ka marrë në total rreth 230 000 euro, një shtetaseje, duke i premtuar se do t’i investonte paratë në bono thesari. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshmëm Tiranë, për veprime të mëtejshne procedurale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat