Me shpejtësi deri në 170 km/h, pezullohen nëntë leje drejtimi në Tiranë

Shqipëria

Me shpejtësi deri në 170 km/h, pezullohen nëntë leje drejtimi në Tiranë

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 14:41
Foto nga vendi i ngjarjes

Makina me shpejtësi nga 151 km/h deri në 170 km/h janë konstatuar gjatë orëve të mbrëmjes në unazën lindore Farkë-TEG, ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h.

Si rezultat janë pezulluar 9 leje drejtimi, për qarkullim me shpejtësi deri në 170 km/h, si dhe janë vënë 51 masa administrative: për shpejtësi mbi normën e lejuar; për shpejtësi dhe përdorim celulari; për shpejtësi dhe mosvënie të rripit të sigurimit; për shpejtësi, përdorim celulari dhe mosvënie të rripit të sigurimit, gjatë drejtimit të automjetit.

9 lejet e drejtimit janë pezulluar me afat 3 -12 muaj, ndërsa masat administrative kanë variuar nga 5 000 – 30 000 lekë të rinj, sipas numrit të shkeljeve të kryera nga drejtuesi i automjetit.

Monitorimi me mjetet inteligjente vijon edhe në akset e tjera rrugore të vendit, ndërsa Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, pasi të gjitha rrugët monitorohen nga mjetet inteligjente dhe patrullat e lëvizshme të Policisë Rrugore.

Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat