Xhaçka në Riad: Lufta kundër terrorizmit, prioritet i punës tonë

Shqipëria

Xhaçka në Riad: Lufta kundër terrorizmit, prioritet i punës tonë

Më: 8 qershor 2023 Në ora: 13:27
Olta Xhaçka

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global për shkatërrimin e ISIS (D-ISIS), që u zhvillua në Riad të Arabia Saudite, nën bashkëkryesimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, përfaqësuar nga Antony Blinken dhe Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Arabisë Saudite, të përfaqësuar nga Princi Faisal bin Farhan Alsaud.

Në ndërhyrjen e saj, ministrja Xhaçka evidentoi rolin, angazhimin dhe kontributin pro aktiv të Shqipërisë, si dhe përparësinë që vendi ynë i ka dhënë luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke e vendosur atë si një nga fushat prioritare të angazhimit tonë si vend anëtar jo i Përhershëm i Këshillit të Sigurimti të OKB.

“Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit ka qenë një nga prioritetet e punës sonë në Këshillin e Sigurimit. Gjatë mandatit tonë të deritanishëm kemi punuar ngushtë me miqtë dhe aleatët për të përfaqësuar dhe çuar përpara interesat dhe objektivat tona të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit. Shqipëria është e përkushtuar ndaj këtij koalicioni, kudo që paraqitet kërcënimi i terrorizmit dhe ne do të punojmë ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha kryediplomatja shqiptare.

Duke qenë një nga vendet e para, pjesë e aksionit të përbashkët politik ndërkombëtar në kuadër të Koalicionit Global kundër ISIS, Shqipëria rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e saj, krahas vendeve partnere në koalicion, për vazhdimin e luftës kundër ISIS, dhe çdo shfaqjeje të terrorizmit.

Në deklaratën e përbashkët të miratuar në takim, u bëhet thirrje partnerëve në koalicion që të jenë vigjilentë e të punojnë së bashku ndaj çdo forme të shfaqjes së rrezikut terrorist, në çdo rajon të botës.

Takimi i ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të Koalicionit Global të luftës kundër ISIS, përbën një event të rëndësishëm dhe kontribues në orientimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve globale për një fitore të qëndrueshme kundër terrorizmit ndërkombëtar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat