Të miturit ‘të zhytur’ në vepra penale, psikologu: Rrezik për t’u bërë pjesë e grupeve kriminale!

Shqipëria

Të miturit ‘të zhytur’ në vepra penale, psikologu: Rrezik për t’u bërë pjesë e grupeve kriminale!

Më: 11 qershor 2023 Në ora: 15:51

Më 25 Maj, rreth orës 22:00 të mbrëmjes, 16-vjeçari E.Arapi, erdhi nga Kamza dhe vendosi një sasi tritoli në fasonerinë e një biznesmeni Italian. Pas hetimeve ai u kap nga policia dhe rezultoi se atij i ishin premtuar 100 mijë lekë, nga Edmond Arapi për të kryer këtë vepër të rëndë.

I mituri, e kishte kryer edhe më parë këtë vepër penale, pasi kishte vendosur një sasi tritoli në zonën e Alliasit. Gjykata në atë kohë e liroi në masë më të butë për shkak të moshës. Por pavarësisht se ai ishte një person problematik, askush nuk u kujdes që ai të dilte nga rruga që kishte nisur, dhe u bë sërish përsëritës i krimit.

Në 5 muajit e parë të vitit 2023, vetëm në Tiranë, janë shënuar 496 ngjarje me protagonist të miturit , ku 405 prej tyre kanë qenë me autorë pikërisht të miturit. Burime për Panorama TV nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, bëjnë të ditur se në 5 mujorin e parë të këtij viti janë 2 të mitur të arrestuar. Për sa u përket ngjarjeve kriminale, 24 të mitur që akuzohen si autorë, vijojnë të jenë në kërkim në Tiranë.

Ndërkohë sipas Institutit të Statistikave, për sa i përket përfshirjes së të miturve në krim, pati një rënie të lehtë për vitin që lamë pas. Por pavarësisht kësaj, shifrat vijojnë të jenë alarmante, pasi sipas INSTAT, për vitin 2022, 1773 persona nën moshën 18 vjeç, ishin autorë të veprave penale.

Elidon Shehu psikolog në Policinë e Tiranës, tregon për Panorama TV, edhe disa nga shkaqet që i dërgojnë të miturit në konsumimin e veprave penale. Avokati tregoi se mungesa e qendrave rehabilituese shikohet si një nga problemet kryesore qe të miturit, bien në përsëritje të veprave penale. Sipas psikologut Elidon Shehi, në eksperiencën e tij ka pasur disa raste që të miturit pavarësisht se mund të jenë kapur në shkelje të ligjit janë bërë sërish konsumues të veprave penale. Ai shton se janë persona të rritur, që zakonisht i shtyjnë të miturit të bëhen pjesë e grupeve kriminale.

Për sa u përket ligjeve për të miturit, sipas psikologut Shehi, Shqipëria i ka mjaft të mira, por problemi qëndron tek kultura e shoqërisë.

Por çfarë parashikon ligji për të miturit që përfshihen në krim?

Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur përmban rregullime të posaçme lidhur me përgjegjësinë penale të të miturve, rregulla procedurale lidhur me hetimin, ndjekjen penale, procesin gjyqësor, ekzekutimin e vendimit të dënimit penal, rehabilitimin ose të çdo mase tjetër që përfshin një të mitur në konflikt me ligjin.

Në këtë ligj, parashikohen edhe garantimi për riintegrimin e të miturit në konflikt me ligjin penal dhe që i mituri të luajë në shoqëri një rol sa më të dobishëm. Por edhe të garantojë masa edukative dhe parandaluese për të miturit që kryejnë vepra penale dhe të sigurojë ngritjen e mekanizmave mbikëqyrës për zbatimin e tyre.

I pyetur në lidhje me aplikimin e ligjit penal për të miturit, avokati Bledar Meminaj në një intervistë për Panorama Tv tha se përgjegjës, që të rinjtë bëhen pjesë e botës së krimit është edhe mungesa e rehabilitimit nga institucionet shtetërore.

Drejtësia restauruese gjerësisht në vendet më të zhvilluar ka në fokus të miturit që kryejnë vepra penale, duke u angazhuar në trajtimin e tyre psikiatrik, psikologjik dhe edukimin në vend që të qëndrojë në institucionet e vuajtjes së dënimit. Një tentativë për ta implementuar edhe në Shqipëri u bë edhe në vitin 2018, ku ministria e Drejtësisë, tha se do të ndërtohen 5 qendra që do të trajtojnë rastet e të miturve në konflikt me ligjin dhe në masat për shmangien e tyre pasi i mituri përfundon kohëqëndrimin aty, por që sot duket se nuk ekzistojnë.

Sipas avokatit, Bledar Meminaj, për sa i përket Drejtësisë Restauruese ka një mungesë të madhe të ndërmjetësueseve ligjor, për shkak se nuk janë licencuar nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërkohë avokati, Meminaj, thotë se vendin ynë nuk i plotëson të gjitha kushtet për trajtimin e të miturve në vepra penale siç mund të ndodhë në BE. Sipas të dhënave të policisë, përfshirja e të miturve në krime në 5 muajt e parë të këtij viti, përbën 5 % të numrit total të veprave penale që janë kryer në Shqipëri. Ndërkohë që shifrat Çdo vit e më shumë tregojnë se të miturit po përfshihen në krime, duket se një reagim për rehabilitimin e tyre është ende larg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat