Nga Tirana, “Facebook” kërkon ndihmën e Autoritetit të Medias: S’kemi përkthyes për dezinformimin, autoritetet të na ndihmojnë me raporte

Shqipëria

Nga Tirana, “Facebook” kërkon ndihmën e Autoritetit të Medias: S’kemi përkthyes për dezinformimin, autoritetet të na ndihmojnë me raporte

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 14:09
Marisa Martin

Nga Tirana, Facebook kërkoi ndihmën e Autoritetit të Mediave Audiovizive AMA-s për të luftuar përmbajtjet me gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimit

Kërkesa u parashtrua gjatë punimeve të Asamblesë së 22-t të Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore audiovizive e cila çeli siparin me pjesëmarrjen e drejtuesve të enteve rregullatorë të 27 vendeve anëtarë të rrjetit Mesdhetar si dhe me pjesëmarrjen e veçantë të drejtuesve ekzekutivë të platformave Tik Tok dhe Facebook në Europë, të cilët diskutuan çështje të rëndësishme, siç janë sfidat me të cilat përballet mjedisi mediatik sot.

Gjatë Asamblesë, Shqipëria ka marrë presidencën e Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore audiovizive. Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi foli mbi rëndësinë e takimit të nivelit të lartë që mbahet për herë të parë në vendin tonë.

“Ndihem e nderuar t’ju mirëpres, këtu në Tiranë, në këtë edicion të 22 të Asamblesë Plenare të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore. Ky event është i rëndësishëm për mua për disa arsye: Së pari sepse, tanimë, nuk ju drejtohem vetëm si Kryetare e Autoritetit Shqiptar të Mediave Audiovizive, por edhe si Presidente e radhës e këtij organizmi të rëndësishëm. Me këtë rast, me lejoni t’ju falënderoj që më votuat e që më dhatë besim për një detyrë që e kam fort të rëndësishme. Kam përgjegjësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit të mirë mes nesh, e identifikimit dhe përballjes bashkërisht të sfidave që dikton koha në të cilën jetojmë, por edhe e krijimit të urave të reja.E dyta, është përgjegjësi për ne si vend, mikpritës për herë të parë i Asamblesë së MNRA-së në Shqipëri. Mikpritja është një traditë e fortë shqiptare, shumë e rëndësishme, dhe, përveç të tjerash, është një detyrim i imi dhe bashkëpunëtorëve të mi që, jo vetëm të jemi organizatorë të mirë të këtij eventi, por edhe të bëjmë që ju të ndiheni si në shtëpi. Gjatë këtyre dy ditëve do të diskutojmë sfida të rëndësishme me të cilat përballet jo vetëm tregu mediatik, por edhe ne si ente rregullatore”, tha gjatë fjalës Krasniqi e cila tashmë mban presidencën e MRNA-së.

Akti Evropian për Lirinë e Medias që pritet së shpejti të miratohet nga Këshilli i Europës , më konkretisht neni 17 i tij, u diskutua nga Drejtoresha e politikave publike e platformës META për Europën, Marisa Martin.

Drejtuesja ekzekutive e platformës përfshin Facebook-un, Instagram-in, Whatsapp-in dhe Threads kërkoi ndihmën e gjithë autoriteteve audiovizivë të mediave që të shërbejnë si ndërmjetës, në mënyrë që këto rrjete sociale të fshijnë përmbajtjet me gjuhën e urrejtjes apo dezinformimin.

Këtë veprim diktuar nga ligji që pritet të miratohet ne BE, drejtoresha e Facebook e quajti masën më radikale pasi tha se duhej monitorim rigoroz në gjuhët lokale. Ajo tha se raportimi duhet të vijë nga vetë autoriteteve audiovizive siç është në rastin e Shqipërisë AMA.

“Nëse ata qe verifikojnë të dhënat e pëlqejnë apo nuk e pëlqejnë nenin 17 të Aktit Europian për Lirinë e Medias, si dhe nenin për dezinformimin, ju duhet të zbuloni nga vjen dezinformimi. Dezinformimi mund të vijë nga mediat, nga gazetat, nga gazetaria jocilësore. Nëse vërtetë jeni kunder dezinformimit, ju lutem shikoni të gjitha këto burime nga vjen dezinformimi”, tha gjatë fjalës drejtoresha e politikave publike e Facebook për Europën, Marisa Martin.

Punimet e Asamblesë në ditën e dytë do të fokusohen tek eksperienca e UNESCO-s në mbrojtjen e lirisë së medias.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat