Topi: Rama dhe Veliaj në sinergji, kur ka debate çdo njeri ka të drejtë të përgjigjet

Shqipëria

Topi: Rama dhe Veliaj në sinergji, kur ka debate çdo njeri ka të drejtë të përgjigjet

Më: 6 prill 2024 Në ora: 18:41
Bamir Topi

Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.

Duke u ndalur te puna e SPAK, Topi tha se ky institucion po punon në një front të gjerë duke prekur pushtetin qendror, vendor dhe opozitën dhe duke mos lënë vend për t’u paragjykuar për selektivitet.

Ai shtoi se Prokuroria e Posaçme nuk po punon qetësisht sepse është nën presion nga politika, por sipas tij ka edhe një presion pozitiv nga publiku që kërkon,

Sa i përket reagimeve nga kryebashkiaku Veliaj dhe kryeministri Edi Rama në lidhje me arrestimet e SPAK në bashkinë e kryeqytetit, ish-Presidenti u shpreh se mes tyre ka një sinergji politike.

Ai theksoi se në momentin e parë që pas thirrjeve të SPAK ka debate politike çdo njeri ka të drejtë të përgjigjet.

“Institucioni i SPAK është duke punuar në një front të gjerë, pra nuk lë vend për t’u paragjykuar për selektivitet. Nga pushteti qendror te ai vendor, te opozita, janë të gjithë të prekur, nga kjo pikëpamje besoj se është në misionin e vetë aty ku ka të dhëna, indicie, kallëzime, SPAK është në misionin e tij.

Gjermanët kanë një fjalë të artë,kur nuk kanë prova për të kundërtën, nuk kanë të drejtë ta kundërshtojnë. Kur çështjen e merr SPAK, nëse do ishte një politike racionale, kishte besim te SPAK, që është hallka e parë, pastaj është gjykata. Por kur në momentin e parë që ka thirrje për në SPAK hidhen në debate politike çdo njeri ka të drejtë të përgjigjet. Çdo njeri e institucion është në pozitën e tij.

SPAK nuk po punon qetësisht sepse janë në presion që vjen nga politika. Ka edhe një presion pozitiv nga publiku që kërkon, por unë them se ai është institucion i ri dhe çështjet që ka janë pafund. Ka ngarkesë të madhe dhe duke njohur disa individë unë gjykoj se janë njerëz me integritet. Besoj se Dumani është në linjën e integritetit të tij, i cili nuk shfaqet një ditë kur je kryetar i një institucioni të rëndësishëm. Këta njerëz i vlerësoj sepse me kalimin e kohës presioni ndaj tyre shtohet.

Fakti që Veliaj është në mandatin e tretë, ashtu si Rama tregon që mes tyre ka sinergji politike. Në politikë nuk mund të vendosësh një përfaqësues nëse s’je i sigurt, ndaj Veliaj ka qenë i domosdoshëm për Ramën. A ka debate mes tyre, debate ka edhe brenda familjes, për më tepër në politikë. E prezumoj historinë e debateve, por kur i shikon bashkë kohët e fundit, opozita mos ta mbajë shpresën te kjo krisje. Ata kanë problemet e veta. Një mazhorancë me kaq shumë skandale, duhet të shohim një reagim, por opozita sa vjen e qulloset më tepër. Ky është një paradoks që nuk e shohim askund”, tha ai mes të tjerash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat