Në 21 qershor të këtij viti, Operatori i Blerjeve të Përqëndruara shpalli një tender me vlerë 181,086,720 lekë ose 1.81 milionë euro për shërbimin e lavanderisë për Spitalin Rajonal të Vlorës.
Procedura e kufizuar sipas tipit të marrëveshjes kuadër parashikonte se kompania private që do të shpallej fituese në garë do ta kryente këtë shërbim për një periudhë 48 mujore ose 4 vjet.
Gara u zhvillua një javë më parë, saktësisht në datën 9 shtator. Në të u paraqit vetëm një ofertë nga kompania ABI’S, e cila më parë ka mbajtur emrin DEVIS.
Oferta e kësaj kompanie ishte saktësisht 181,086,720, pra deri në qindarkën e fundit të fondit limit të paracaktuar.
Një ditë më vonë, në datën 10 shtator Operatori i Blerjeve të Përqëndruara e shpalli fituese kompaninë për kontratën 1.81 milionë euro.
Ky përbën një rast të paprecedentë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe me gjerë.
Përgjithësisht sinjalet kryesore të korrupsionit në një tender publik janë numri i ulët i kompanive që garojnë në të dhe vlerat e ofertuara pranë fondit limit.
Por shpesh kompanitë të cilat e kanë fituar tenderin pa u zhvilluar ende ofertojnë në marzhin nga 97 deri në 99.99 për qind e fondit limit.
Por në këtë rast është vendosur një rekord i ri. Tenderi ka qenë vetëm me një kompani pjesëmarrëse dhe oferta e kësaj kompanie ishte saktësisht sa fondi limit, pa u ulur asnjë qindarkë nga vlera limit.
Operatori i Blerjeve të Përqëndruara
Në shtator të vitit të kaluar, qeveria shqiptare vendosi të krijojë Operatorin e Blerjeve të Përqëndruara.
Me statustin e SHA-së, ky operator u ngarkua të kryejë të gjithë tenderat për për blerjet, mallrat dhe punët për Kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e varësisë.
Sipas qeverisë, kjo do të ulte korrupsionin në tenderat publikë si dhe do të përmirësonte efiçencën në procedurat e prokurimit.
“Ne kemi hedhur një hap tjetër përpara. E ka hedhur kjo shumicë me propozim të qeverisë për të krijuar shoqërinë publike të operatorit të Blerjeve të Përqendruara, e cila ka filluar zyrtarisht punë me 25 Prill, dhe do t’i kryejë ajo të gjitha prokurimet e ministrive dhe institucionet e tyre të varësisë. E thënë troç, asnjë ministër dhe asnjë strukturë e varësisë s’do të ketë asnjë lidhje me tendera, por do të merret vetëm me politikat sektoriale. Kjo shoqëri është ndërtuar sipas modeleve më të mira evropiane do të asistohet nga shoqëri partnere evropiane,” deklaroi Rama në maj të këtij viti.
Por që në momentin e shpalljes së kësaj nisme, opozita e kundërshtoi përqëndrimin e tenderave në një dorë. “Tashmë që Rama konstatoi se po i hahen kumbulla pas shpinës nga ministrat e tij ngriti pak ditë me parë “Operatorin e Blerjeve te Perqendruara”, që kumbullat të hahen vetëm në një dorë,” deklaroi Petrit Vasili nga Partia e Lirisë.
Operatori i Blerjeve të Përqëndruara zotërohet 100 për qind nga Ministria e Ekonomisë si dhe administrohet nga një grup njerëzish, që kanë qenë pjesë e stafeve të ministrit Blendi Gonxhja.
Sipas ekstraktit të shoqërisë, administratore e OPB-së është Arlinda Pogaj. Më parë zonja Poga ka mbajtur postin e juristes në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Ndërsa në Këshillin Mbikqyrës janë emëruar: Sokol Ismaili, Sokol Bardhi, Lira Pipa, Alketa Përnaska, Edmond Ahmeti dhe Elinda Pupla. Pjesa dërrmuese e anëtarëve të Këshillit po ashtu vijnë nga DPSHTRR.
Operatori i Blerjeve të Përqëndruara është praktikisht autoriteti kontraktor më i madh në Shqipëri.
Sipas ligjit, kjo shoqëri kryen me detyrim të gjithë tenderat për blerjen e automjeteve, kancelarive, uniformave, sigurimet, ushqimet e kështu më radhë në institucionet qëndrore të shtetit.
“Ballkan Barometrit 2024”, Bregu: Shqiptarët mbështesin fuqishëm integrimin, rritet në 82% besimi te bashkëpunimi rajonal
Bëhet fjalë për një vëllim prokurimesh qindra milionë eurosh në vit.
Por nëse tenderat do të jenë të gjithë si ky i shërbimit të lavanderisë në spitalet publike, Operatori i Blerjeve të Përqëndruara rrezikon të shndërrohet makineria më e madhe e abuzimit të parasë publike në Shqipëri.