Anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, i cili rezultoi si një nga më të votuarit në Primare për qarkun e Tiranës, ka treguar arsyet pse ai ka zgjedhur të jetë në listën e hapur.
Sipas tij, qëndrimin për të garuar në listë të hapur e ka shprehur edhe më parë, madje këtë ia ka bërë të ditur edhe Sali Berishës.
“Ky është një moment jetik për vendin, për shoqërinë, për PD-në. Më pas vjen në rëndësi karriera e secilit. Shqipëria ka nevojë për ndryshimin e qeverisë. Që ndryshimi të vijë, duhet luftuar për çdo votë. Për çdo votë luftohet vetëm në listën e hapur”, shprehet ai.
Reagimi:
Pse kam zgjedhur listën e hapur
Sot, në mbledhjet e Kryesisë së PD dhe të Këshillit Kombëtar, do të finalizohet ekipi i përfaqësuesve të PD për zgjedhjet e 11 majit. Është vetëm një nga etapat, pasi Partia Demokratike është tashmë në këtë betejë kudo me njerëzit, strukturat e saj në çdo seksion, grupseksion e degë.
Ka vëmendje, ka pritshmëri dhe patjetër do të ketë edhe debate.
Falë Zotit, PD e ka debatin pasuri të saj. Ditën që s’do të ketë debat, s’do të ketë më PD. Këtu jemi shumë ndryshe nga kundërshtarët tanë.
Unë vetë e kam bërë të ditur edhe më herët, madje këtë qëndrim ia kam komunikuar edhe Kryetarit të Partisë, përpara procesit të primareve, dhe i qëndroj këtij parimi: do të jem në listën e hapur. Ky është një moment jetik për vendin, për shoqërinë, për PD-në. Më pas vjen në rëndësi karriera e secilit. Shqipëria ka nevojë për ndryshimin e qeverisë. Që ndryshimi të vijë, duhet luftuar për çdo votë. Për çdo votë luftohet vetëm në listën e hapur.