Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029, Partia Socialiste do të garojë me një kandidate grua për kryeministre të Shqipërisë.
Kështu u shpreh Edi Rama sonte nga takimi “Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030”, në hapje të fushatës së Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit.
Teksa kërkoi votën për një mandat të katërt, Rama shprehu besimin se PS do të ketë edhe një mandat të pestë qeverisës, me në krye jo atë, por një grua.
“Në 2030, do të shikohemi përsëri se do të vijmë të mbështesim kryeministren grua”, tha kreu i PS-së.
Rama tha se 56% e zgjedhësve gra dhe vajza në rang vendi mbështesin PS-në. Burrat që mbështesin të majtën janë më pak në numër, u shpreh kryeministri, por ky fakt nuk e shqetëson, pasi sikurse tha “mes dy palëve nuk ka diskutim që zgjedh të parat nënat, vajzat”.
“Duke qenë se ishte e vetmja mënyrë për të lidhur bashkë të gjitha forcat komando të forumit të gruas, menduam se më e udhës ishte të mblidheshin drejtueset dhe koordinatoret për të përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë: Shqipëria është grua! Evropa është grua dhe suksesi për Shqipërinë 2030 varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë, nuk ka asgjë që më bën më shumë krenarë se sa fakti se kjo parti politike mbështetet nga gratë. 56% e zgjedhësve gra dhe vajza në rang vendi mbështesin PS, në disa qarqe është më e lartë. Te burrat, kjo % është më e ulët”, ka thënë ai.