Kreu demokrat, Sali Berisha, u ka shpërndarë një mesazh urgjent të gjithë komisionerëve të PD-së në grupet e numërimit të votave, që të jenë vigjilentë dhe të evidentojnë fletët e votimit me ngjyra të ndryshme.
Mesazhi i Berishës vjen pas konstatimeve në KZAZ-në 40, ku pati debate të forta mes Agron Shehajt i Partisë Mundësia dhe komisionerëve të PD-së, lidhur me 7 fletë votimi, që fillimisht u nxorrën në pavlefshme me dyshimin se ngjyra e fletës ishte e ndryshme nga ajo e formatit të zakonshëm.
“Mesazh për shpërndarje urgjente tek çdo numërues dhe vëzhgues i yni! Numëruesit tanë në Njësinë administrative Nr 9 në Tiranë kanë gjetur fletë votimi me ngjyra të ndryshme nga njëra tjetra.
Çdo numërues dhe vëzhgues i yni të shohë me shumë vëmendje dhe të evidentojë fletët e votimit me ngjyra të ndryshme nga njëra-tjetra, të ndërpresë menjëherë numërimin dhe të njoftoj kandidatin ose drejtuesit tanë. Përshendetje të përzemërta! Sali Berisha”, thuhet në një mesazh që iu shpërnda numëruesve.