I ftuar në emisionin "Drejt" në "Ora News", gazetari Xhoi Malësia analizoi raportin e OSBE-së mbi zgjedhjet dhe theksoi avantazhin e Partisë Socialiste përmes përdorimit të administratës publike, duke kritikuar njëkohësisht edhe opozitën për mungesë strategjie.
" Po të shohim raportin e OSBE-së, që është vëzhguesi më objektiv i zgjedhjeve ka përcaktime që tregojnë se pse në një farë mënyre PS-ja e di se ku bie pak a shumë. Tha që terreni ishte i pabarabartë, përdorimi i aseteve shtetërore dhe përdorimi i njerëzve të administratës publike. Në këtë sens PS-ja ka dhe një avantazh në raport me partitë e tjera pasi njerëz që i ka në administratë i merr pasdite dhe i kërkon llogari për emra votuesish, për lista me nga 20 votues të tjerë përveç votuesit origjinal dhe në këtë drejtim duke përdorur një metodologji të caktuar e di se ku qëndron në raport me votat duke përfshirë në formulë koefiçentin e humbjes së votës nga ata që e kanë premtuar ata që e japin e shumë elementë të tjerë.
Është goxha zhgënjyese jo vetëm për nismën "Shqipëria Bëhet" por edhe për partitë e tjera që kanë marrë rreth 150 mijë vota dhe e kanë manifestuar diçka të tillë në 4 mandate.
Terreni ka qenë i pabarabartë, por unë mendoj se edhe partitë e reja kishin mundësi që të luftonin edhe më mirë në këtë terren.
Për mua ishte e pakuptimtë sesi dy prej udhëheqësve ose po themi përfaqësueve të partive të reja gjenin luksin që në kohë të fushatës të akuzonin njëri tjetrin në dyert e SPAK-ut. Pra, mund të kishte mandate që do të ishin përfituar në këtë drejtim dhe është e vërtetë që ka shumë elementë që favorizonin PS-në, por unë mendoj që opozita nuk dha goditjen e saj më të mirë në këto zgjedhje", u shpreh Malësia.