Partia Socialiste mori rezultat historik më 11 maj duke u konfirmuar për herë të katërt radhazi si forcë fituese e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
Gazetari Ardit Rada, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News tha se opozita shqiptare tregoi se është krejtësisht e paaftë për të krijuar një alternativë në këtë vend.
Ai theksoi se votuesit e kanë braktisur Partinë Demokratike, pasi kjo parti ka treguar se di të prodhojë vetëm kaos. Sipas Radës, humbja e Berishës është shumë dëshpëruese.
“Konfirmimi i paaftësisë së opozitës për të ndërtuar alternativë në këtë vend. Kjo paaftësie e opozitës po përsëritet nga zgjedhjet në zgjedhjet. Presupozohej që përballë një qeverie, që për hir të së vërtetës mund ta konsiderojmë disi të konsumuar për shkak të qëndrimit në pushtet në 12 vjet, PD u pa se prodhon vetëm kaos.
Kam parasysh ato pamjet në Elbasan, ku u rrahën mes njëri tjetrit. Humbja e Berishës është dëshpëruese. PD e prapambetur në raport me partitë e vogla dhe në realizimin e koalicioneve”, theksoi ai.
Ai theksoi se largimi i Sali Berishës nuk e reformon dot Partinë Demokratike. Sipas tij, zgjidhja kryesore është që demokratët të largohen nga PD dhe të gjejnë “strehim” te partitë e tjera opozitare
“Zgjidhja është, të largohen demokratët sa më parë nga PD. Të gjejnë alternativa të tjera të reja. Koalicioni madhështor i Berishës është treguesi që nuk kishte asgjë madhështore në atë mes, përveç kontratës 6 milionë dollarë me La Civita”, theksoi ai.