Dita ndërkombëtare për fëmijët e humbur, 12 rezultojnë në Shqipëri

Shqipëria

Dita ndërkombëtare për fëmijët e humbur, 12 rezultojnë në Shqipëri

Më: 23 maj 2025 Në ora: 18:10
Foto ilustrim

Në Shqipëri rezultojnë të humbur 12 fëmijë, në harkun kohor të 30 viteve. Ndërkohë që në vit humbasin rreth 120 fëmijë, të cilët fatmirësisht janë gjetur brenda harkut kohor të 72 orëve.

“Shqipëria hyn tek ato raste që shumica e fëmijëve që humbin gjenden, gjë që është shumë pozitive. Janë fëmijë që largohen nga shtëpia, rrëmbehen, edhe nga prindërit e tyre, pas një vendimi gjyqësor”, thotë Altin Hazizaj.

Në ditën ndërkombëtare për fëmijët e humbur, aktivistë u mblodhën me pankarta në duar, me një thirrje për shpresë. Edhe pse janë bërë kërkime, asgjë nuk është mësuar për fatin e këtyre fëmijëve.

Në vendin tonë, në planin e masave, kërkohet të vendoset sinjali Amber, i cili lëshohet nga policia për të angazhuar të gjitha institucionet dhe komunitetin në gjetjen dhe rikuperimin e një fëmije të humbur ose të zhdukur. Sinjali Amber u krijua në vitin 1996 në SHBA, pas humbjes së një vajze 9-vjeçare, Amber Hagerman, e cila u rrëmbye dhe më pas u gjet e vrarë në Teksas.

Bleona Mata, Julian Çela, janë vetëm disa nga emrat e fëmijëve të zhdukur, familjarët e të cilëve, edhe sot pas më shumë se 20 vitesh, vijojnë kërkimet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat