Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se në muajin qershor Shqipëria do të hapë të gjithë grup-kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ajo në konferencën e Qendrës për Studime Evropiane në Bruksel, u shpreh se me kryeministrin Edi Rama ka një marrëveshje dhe së më në fund, “Shqipëria do të martohet me Bashkimin Evropian”, raporton Topchannel.
“Brenda mandatit tim si komisionare për zgjerimin do të kemi anëtarësime të reja në BE nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me Edi Ramën ne kemi një marrëveshje. Unë gjithmonë insistoj që ky proces të jetë i bazuar në merita, por ne kemi rënë në ujdi për ta realizuar atë martesë të Shqipërisë me Evropën më në fund.
Na duhet që të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në qershor dhe me këtë do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Më pas do të fillojë mbyllja e kapitujve, që është gjithashtu një proces shumë i rëndësishëm”, u shpreh Kos.
Shqipëria hapi para një jave negociatat në grupin tre, konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, e cila përfshin tetë kapituj të negociatave, në Konferencën Ndërqeveritare për anëtarësimin në Bashkimin Evropian në Bruksel.
Ky është tashmë grupi i katërt që ajo ka hapur në negociata deri tani. Së pari, hapi grupin e parë, Bazat, i cili përfshin drejtësinë dhe të drejtat themelore, sigurinë, mbikëqyrjen financiare dhe prokurimin publik.
Është grupi më i rëndësishëm që hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Më pas, Shqipëria hapi negociatat në grupin 6, Marrëdhëniet e jashtme dhe në grupin dy, tregun e brendshëm.
Një metodologji e re e negociatave u prezantua në vitin dymijenjëzet, kur tridhjetepesë kapituj negociues u ndanë në gjashtë grupime tematike. Që atëherë, vendet kandidate nuk kanë hapur negociata për kapituj individualë, por për disa prej tyre, të bashkuar në grupe.
Me mbylljen, nuk është kështu, çdo kapitull është ende i mbyllur individualisht.
Shqipëria po i zhvillon me shpejtësi negociatat e anëtarësimit. Nga nëntori i vitit të kaluar e deri më sot ka hapur negociatat në gjashtëmbëdhjetë kapituj dhe me këta tetë numri i përgjithshëm ka shkuar në njëzetekatër dhe pritet që në qershor të hapë kapituj të rinj.
Kjo është më shumë se sa Serbia për dhjetë vjet. Shqipëria mund të arrijë së shpejti Malin e Zi, i cili ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe është më i avancuari në negociatat e anëtarësimit deri më tani.