Bilanci i Policisë për muajin Maj/ 625 të arrestuar, 99 operacione dhe 84 kg drogë

Shqipëria

Bilanci i Policisë për muajin Maj/ 625 të arrestuar, 99 operacione dhe 84 kg drogë

Më: 8 qershor 2025 Në ora: 16:09
Ilustrim

Policia e Shtetit ka ndarë sot të dhënat e punës së kryer gjatë muajit maj 2025. Sa i përket aspekteve të punës policore, gjatë muajit që sapo lamë pas, rezulton se:

- janë finalizuar 99 operacione policore;

-janë finalizuar 34 operacione policore ndërkombëtare;

-kanë vënë në pranga 625 autorë të dyshuar veprash penale;

- janë sekuestruar 50 armë zjarri dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak; rreth 84 kilogramë cannabis, qindra doza të kësaj lënde dhe të lëndës narkotike kokainë, si dhe 2861 fara cannabisi; para dhe pasuri me burime të dyshimta kriminale në vlerë totale rreth 415 000 euro, mallra të kontrabanduara, antiplumb, silenciatorë, dokumente dhe para false;

- janë asgjësuar në kuadër të megaoperacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, 8269 bimë/fidanë cannabisi;

- në Tiranë dhe në Shkodër, gjatë 3 operacioneve, janë arrestuar 13 shtetas, të cilët, të organizuar si grup ose individualisht, trafikonin ose shitnin armë për llogari të grupeve kriminale;

0puna operative dhe operacionale e Policisë së Durrësit dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale çoi në pranga 7 shtetas (3 prej tyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore), të cilët qëndronin së bashku në ambientet e një restoranti, me armë zjarri të gatshme për qitje;

- është parandaluar përshkallëzimi i 8 konflikteve, disa prej tyre në familje dhe/ose me armë zjarri;

-janë zbardhur 10 ngjarje kriminale që përfshijnë shpërthim me eksploziv, plagosje, vetëplagosje me armë zjarri të mbajtura pa leje, djegie të qëllimshme të automjeteve dhe aksidente rrugore ku drejtuesit e automjete janë larguar nga vendi i aksidentit;

-është zbuluar 1 banesë e përshtatur për kultivim me llamba të bimëve narkotike, në Fier, si dhe një 1 "call center" në Tiranë, ku kryhej mashtrim kompjuterik;

-janë finalizuar 22 operacione për zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale;

- janë goditur 13 raste të tentativës për të transportuar mallra të kontrabanduara, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar;

-janë finalizuar 2 operacione kundër organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe 2 operacione kundër transportimit të emigrantëve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit;

- Policia e Qarkut Vlorë iu ka dhënë ndihmë në 4 raste, shtetasve  të huaj dhe shqiptarë që gjendeshin në vështirësi, si pasojë e terrenit dhe/ose kushteve të motit;

-janë trajtuar, në bashkëpunim me institucione të tjera kompetente, 181 raste të dhunës në familje dhe 217 krime kundër mjedisit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat